Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vulin: Kriteri i vetëm që mund t’i bëjë vëllezër kroatët e shqiptarët është vrasja e serbëve

Foto: Koha

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, duke komentuar deklaratën e bërë këtë javë nga presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq për kroatët dhe shqiptarët, ka thënë se ndjen keqardhje që politikanët kroatë “nuk po mund të largohen nga komplekset e tyre ndaj Serbisë dhe serbëve”.

“Kriteri i vetëm që ju të jeni vëllezër me Kroacinë është se keni marrë pjesë në vrasjet e serbëve. Ndjej keqardhje që kjo po ndodh dhe se politikanët kroatë nuk po munden të gjejnë një mënyrë për t’u lidhur me rrethin e tyre dhe të gjejnë ndonjë vlerë tjetër për ta quajtur dikë vëlla”, ka thënë Vulin duke iu kundërpërgjigjur komenteve të presidentes kroate e cila në Parlamentin shqiptar tha se kroatët dhe shqiptarët janë “vëllezër”, raporton “N1”.

Vulin tha se “pjesëmarrja në vrasjet e serbëve” nuk është diçka për të qenë krenar.

“Gjithmonë jam i brengosur nëse ky është mesazhi i vetëm për të ardhmen dhe kriteri i vetëm për qenë vëllezër me shtetin, njerëzit apo politikën kroate, që keni marrë pjesë në vrasjet e serbëve”, theksoi Vulin, transmeton Koha.net.

Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq, ishte e pranishme paraditen e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë, nga ku deklaroi se Shqipëria ka qenë mik i Kroacisë kur miqtë ishin të paktë.

“Shumë shqiptarë sakrifikuan jetën e tyre për Kroacinë dhe ne nuk harrojmë”, tha Kitaroviq.

Edhe Vulin: Sa më shpejt duhet të ndahemi nga shqiptarët Arbëri Vulin: Sa më shpejt duhet të ndahemi nga shqiptarët

“Shqipëria ishte miku ynë kur na u desh... Ishim vëllezër në plotkuptimin e fjalës para se të anëtarësoheshim në NATO së bashku më 2009. Shumë shqiptarë sakrifikuan jetën e tyre për Kroacinë dhe më besoni – Kroacia nuk do ta harrojë këtë”, citohet nga mediat serbe të ketë thënë Kitaroviq, duke iu referuar shqiptarëve që luftuan në luftën e Kroacisë për pavarësi në vitet 1991-1995.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke iu kundërpërgjigjur homologes së tij kroate, tha se “Serbia nuk ka nevojë për vëllezër por për miq”.