Qasje të ndryshme në Prishtinë e Beograd kanë prezantuar dy emisarët euro-amerikanë në përpjekjet e intensifikuara për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për serbët në veri, në pritje të zbatimit të reciprocitetit në letërnjoftime. Lajçaku e Escobari, pas bisedave disaorëshe me presidentin serb, e kanë lavdëruar Vuçiqin për, siç kanë thënë, qasjen konstruktive, teksa kanë shtuar se e kuptojnë shqetësimin dhe frustrimin lidhur me tensionet që mund të ndodhin. Sa ishin në Prishtinë emisarët kërkuan konstruktivitet nga liderët e Kosovës për tejkalimin e situatës, por nuk kanë treguar nëse u kërkua shtyrja e vendimit për reciprocitetin në letërnjoftime dhe kthimi i targave neutrale për serbët në veri
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, dhe ai i SHBA-së, Gabriel Escobar, i kanë vlerësuar të sinqerta e konstruktive përpjekjet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për zgjidhjet e propozuara që do t’i shmangnin tensionet në Kosovë. Ndryshe prej takimeve me liderët e Kosovës, biseda shumë më të gjata që zgjatën deri në orët e vona, emisarët kanë zhvilluar me Vuçiqin.
Pas takimit të dytë me presidentin e Serbisë, Lajçak ka thënë se janë në rrugën e duhur për gjetjen e një zgjidhjeje, por nuk ka përmendur asnjërin prej opsioneve.
“Pas një rundi të dytë diskutimesh mbrëmë vonë, shpresoj se jemi në rrugën e duhur. E vlerësoj presidentin Aleksandar Vuçiq për përpjekje të sinqerta, për të mbështetur një zgjidhje evropiane. Bisedimet tona do të vazhdojnë”, ka shkruar Lajçaku në Twitter.
Derisa në Kosovë nuk pati konferenca për media, emisari i SHBA-së iu drejtua publikut nga Ambasada e këtij shteti në Beograd. Ai tha se shpreson që jetesa e serbëve në veri nuk do të vështirësohet me procedura shtesë.
“Shpresoj se ata nuk do të kenë nevojë për procedura administrative shtesë për të shkuar në shtëpitë e tyre. Besoj se do të mund të arrijmë këtë gjë. Ai ka përmendur nevojën e ndërtimit të besimit. Mund t’i them publikut në Serbi që kemi dëgjuar shqetësimet e tyre. Në disa raste ka shumë retorikë që nuk na ndihmon, mirëpo në shumicën e rasteve ka shqetësime serioze për serbët në Kosovë. Ka mungesë të madhe besimi dhe ne jemi duke punuar në ndërtim të tij”, ka thënë Escobar.
Nga 1 shtatori procedurë shtesë për serbët do të jetë pajisja me një dokument hyrje-dalje që, sipas kryeministrit Kurti, e gjithë procedura për lëshimin e tij nuk merr më shumë se 20 sekonda. Një praktikë të tillë për shtetasit e Kosovës pala serbe e aplikon për më shumë se një dekadë. Pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve, Kurti e ka bërë të qartë se vendimi për reciprocitet në këtë dokument do të anulohet vetëm nëse edhe Serbia e bën të njëjtën gjë.
Korrespodenti i “Kohës” nga Brukseli, Augustin Palokaj, ka thënë se nga ajo që është dëgjuar prej emisarëve supozohet se zgjidhja kalimtare mund të jetë që për serbët e Kosovës të mos vlejnë aranzhimet që vlejnë për serbët nga Serbia.
"Mirëpo, mbetet e paqartë nëse do të arrihet ky kompromis, për sa kohë do të zgjasë dhe në çfarë mënyre ata serbë të Kosovës do të dëshmojnë se janë nga Kosova. Nëse do të ketë ndonjë mundësi për kompromis përmendet edhe mundësia që në fillim të javës që vjen se në Bruksel të organizohet edhe një rund i dialogut qoftë në nivel të negociatorëve apo edhe të dy liderëve. Mirëpo, për këtë në BE akoma nuk ka një konfirmim”, ka thënë Palokaj.
Emisari amerikan, Gabriel Escobar, po ashtu ka insistuar se në takimet e radhës duhet të futet në agjendë zbatimi i të gjitha marrëveshjeve.
“Dialogu nuk është klinikisht i vdekur, unë nuk jam pjesë e dialogut, Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e dialogut, por ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Shpresoj që deri në fund të muajit ne do të gjejmë rrugë për të vazhduar. Në të njëjtën kohë dialogu do të vazhdojë. Të gjitha marrëveshjet do të duhet të zbatohen, përfshirë formimin e Asociacionit”, ka thënë ai. “Ne u kemi thënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë se presim që çështja e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese të jetë në agjendën e takimit të radhës, ne nuk presim që të arrihet marrëveshje atëherë, mirëpo natyrisht që presim të jetë në agjendë”.
I pyetur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai ka thënë se së bashku me Lajçakun kanë pasur pritje që kjo çështje të diskutohej në takimin e 18 gushtit mes Kurtit dhe Vuçiqit.
“Qeveria e Kosovës ka thënë se ekzistojnë disa kufizime kushtetuese se çka mund të zbatojnë. Qëndrimi ynë është që ajo duhet të bëjë propozime. Nëse nuk i pëlqen propozimi i Serbisë, atëherë ajo duhet ta ketë propozimin e vet. Ka modele evropiane për mbrojtje të minoriteteve që do të mund të zbatoheshin për Asociacionin dhe që do t’u ndihmonin palëve në rrugën përpara”, ka theksuar Escobar.
Vuçiqi përsërit kërkesën për Asociacionin
E presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është shfaqur skeptik se mund të ketë marrëveshje deri më 1 shtator, derisa ka përsëritur se negociatat e vërteta janë zhvilluar për Asociacionin.
“Unë thashë se jemi të gatshëm t'i respektojmë të gjitha marrëveshjet nga viti 2011, edhe pse janë nënshkruar nga përfaqësues të një qeverie tjetër. Por, disa gjëra nuk janë të shkruara në to dhe nuk mund të na detyroni të zbatojmë diçka që nuk është shkruar. Nuk do të mund të shkohet askund përpara pa Bashkësinë e Komunave Serbe. Nëse Prishtina pranon se serbët mund të lëvizin lirshëm me dokumentet e tyre, mbetet për t'u kërkuar një zgjidhje për targat, Bashkësinë e Komunave Serbe, dhe mbetet çështje kohe se kur do të vijë një krizë më e vështirë dhe më e madhe, qoftë më 1 ose 10 shtator”, ka thënë Vuçiqi.
Duke folur për reciprocitetin në dokumente, Vuçiqi nga Panairi i Kumbullës në Oseçinë ka shtuar se marrëveshja e vitit 2011 flet për vendet transitore e jo se serbët që jetojnë në Kosovë kanë dokumente të caktuara.
“Kam kërkuar dhe nuk diskutohet se do të pranojmë çfarë të doni, por duhet të garantoni se serbët në Kosovë dhe Metohi nuk mund të ndalohen vetëm se kanë dokumente serbe”.
Ai ka komentuar edhe vendimin tjetër të Qeverisë lidhur me kthimin e targave ilegale serbe në RKS.
“Ne nuk mund të diskutojmë për targat dhe është e sigurt se nuk do të ketë progres. Mund të jeni me targa BG në Mitrovicë, por jo me KM, sepse, siç thonë, Mitrovica nuk mund të jetë pjesë e Serbisë. Këto janë gjëra thelbësore që nuk do t'i pranojnë serbët dhe as unë nuk kam mandat ta pranoj këtë”.
Në takimet me Vuçiqin kanë marrë pjesë edhe ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Beograd, Christopher Hill dhe Emanuele Giaufret.
Zyrtari tjetër serb që takoi emisarët, shefi i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka përçuar mesazhe kërcënuese për njësitë speciale të Kosovës. Sipas tij, në rast se njësitet policore të Kosovës shkojnë në veri, NATO-ja është e obliguar t’i ndalë ato. E, në rast se NATO nuk e bën këtë, ai ka kërcënuar se “do ta bëjë populli serb”.
“Kam vetëm një mesazh për Kurtin - NATO është e detyruar të parandalojë çdo përpjekje të ROSU-s për të pushtuar veriun! Nëse nuk e bën, inkursionet e ROSU-s do të parandalohen nga populli serb! Për të qenë plotësisht i qartë - po flasim për një kërcënim të drejtpërdrejtë të dhunës, forcës dhe konflikteve që Kurti po bën për të pushtuar veriun e Kosovës dhe Metohisë, pas të cilit ka vite që është fiksuar”, ka thënë Petkoviq.
Zyrtarët serbë e kanë keqinterpretuar një marrëveshje që ekziston mes Kosovës e KFOR-it, sipas së cilës në veri vetëm FSK-ja nuk mund të zbarkojë pa lejen e tyre. Por një ndalesë e tillë nuk vlen edhe për njësitë policore, të cilat shpesh ndërmarrin aksione edhe në këtë pjesë, në kuadër të luftës kundër kontrabandës.
Escobar: Vuçiqi më siguroi se nuk e ka ndërmend të ndërhyjë ushtarakisht
Lidhur me kërcënimin e zyrtarëve serbë ka komentuar edhe Escobari, kur është pyetur në një intervistë për BBC-në. Sipas tij, Vuçiqi e ka garantuar se nuk e ka ndërmend të ndërhyjë ushtarakisht.
“Epo, unë mendoj se kjo deklaratë pasqyron një nivel zhgënjimi dhe një nivel ankthi. Dhe kjo lloj retorike është e padobishme. I kërkova presidentit të sqarohej dhe ai më siguroi se nuk ka ndërmend të bëjë asgjë ushtarakisht. Ai është i bindur se KFOR-i, pra forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë, mund ta kryejë punën e vet”, ka thënë Escobar. “Por kjo tregon për një pyetje më të madhe në lidhje me trajtimin e pakicave në Ballkanin Perëndimor. Unë mendoj se gjetja e zgjidhjeve të qëndrueshme për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, qofshin ato kroate në Bosnjë-Hercegovinë apo serbët në Kosovë, është me të vërtetë çelësi për një marrëdhënie më të shëndetshme midis grupeve etnike dhe midis vendeve. Kështu që ne do të vazhdojmë të kërkojmë mundësi për ta ndjekur atë. Në Kosovë, në veçanti, një nga elementët që mendoj se do të ndihmojë është zbatimi i Asociacionit të Komunave Serbe të dakorduar më parë. Kështu që ne do të vazhdojmë të ushtrojmë presion dhe do të vazhdojmë të kërkojmë mënyra për të parandaluar këto lloj shpërthimesh në të ardhmen”.
Derisa diplomacia ka intensifikuar veprimet për arritjen e një marrëveshjeje, KFOR-i i ka shtuar trupat në veriun e Kosovës. Komandanti i kësaj force, Ferenc Kajari, të premten ka takuar kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe përfaqësues tjerë politikë të serbëve në veri, për të diskutuar rreth situatës së sigurisë. Sipas komunikatës së Listës Serbe, nga përfaqësuesit e KFOR-it është kërkuar që të zbatojnë plotësisht mandatin e KFOR-it dhe të mbrojnë popullin serb.
“Ata theksuan se situata në terren është e tensionuar dhe se duhet bërë gjithçka për të qetësuar tensionet”, shkruan aty.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë më 17 gusht se Beogradi dhe Prishtina duhet të shmangin përshkallëzimin e situatës. Por ka paralajmëruar se KFOR-i është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit.
Kurti kërkon shtimin e trupave të KFOR-it në Kosovë
Për rrezikun e kthimit të tensioneve ka folur edhe kryeministri Kurti në paraqitjet brenda e jashtë vendit. Ai ka përsëritur disa herë se Serbia bashkë me Rusinë kanë tendenca për destabilizimin e Kosovës e rajonit. Madje në një intervistë për gazetën gjermane “Welt”, ai ka shprehur interesimin që në Kosovë të ketë më shumë ushtarë gjermanë në kuadër të KFOR-it.
Me titullin: “Kurti: Më shumë ushtarë gjermanë do të na ndihmonin”, gazeta ka publikuar intervistën e kryeministrit kosovar sipas të cilit do të ishte urgjentisht e nevojshme që të rritet ndjeshëm numri i ushtarëve të NATO-s në Kosovë.
“Kjo sigurisht që do të përmirësonte sigurinë tonë. Do të na ndihmonte gjithashtu nëse më shumë ushtarë gjermanë do t'u bashkoheshin forcave të NATO-s (KFOR), duke rritur kështu forcën parandaluese", citohet të ketë thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Vuçiq, u takuan më 18 gusht në Bruksel, por nuk arritën një marrëveshje për tejkalimin e krizës. Takimet erdhën pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës më 31 korrik, pasi serbët lokalë kanë vënë barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.
Pas kërkesës së ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, Qeveria e shtyu zbatimin e vendimit për 1 shtator.
KOHA ka raportuar se kërkesa që emisarët kanë pasur për liderët e Kosovës është shtyrja e zbatimit të vendimit për reciprocitetin në dokumente, si dhe serbëve t’u mundësohen targa neutrale. Derisa Zyra e Kryeministrit nuk ka ofruar sqarime lidhur me këto kërkesa, në konferencën e Kurtit para takimit me emisarët është përjashtuar mundësia e përmbushjes së këtyre kërkesave. Shefi i Ekzekutivit ka thënë se Kosova nuk mund t’i rikthejë në qarkullim targat e UNMIK-ut, derisa për reciprocitetin në letërnjoftime ka shtuar se nuk mund të ketë edhe një shtyrje tjetër.