Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiqi i ankohet Lajçakut për “jetën e papërballueshme” të serbëve në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është ankuar emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, për “jetën e papërballueshme” të serbëve në Kosovë, në një takim që e kanë pasur të premten në Beograd.

Përmes Instagramit, Vuçiqi ka thënë se në takim kanë diskutuar edhe për hapat që duhet të ndërmerren për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

“Kam biseduar me Miroslav Lajçakun për situatën në Kosovë dhe kushtet e papërballueshme për jetën e popullit tonë. Shqyrtuam mundësitë dhe temat për vazhdimin e bisedimeve konstruktive në Bruksel, si dhe hapat e nevojshëm për progres drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe një herë i kam bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që konkretisht dhe me vendosmëri të angazhohet në çështje thelbësore të rëndësishme për mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”, ka shkruar ai.

Ndërsa emisari i BE-së ka thënë se në takim me Vuçiqin kanë diskutuar “për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në dialog, për çështjet aktuale, të cilat duhet të adresohen urgjentisht dhe zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt normalizimit”.

Më 19 mars në Bruksel, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel.

Kosova ka marrë kritika nga ndërkombëtarët për shkak të Rregullores së re të Bankës Qendrore, me të cilën ndalohet përdorimi i dinarit. Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ia ka refuzuar dy propozime për të dalë nga ngërçi i dinarit.