Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se delegacioni serb kishte udhëtuar në Bruksel “me synim për të ruajtur paqen, porse pala shqiptare nuk donte zgjidhje”.
Vuçiq ka thënë se është krenar se si u soll delegacioni serb në Bruksel.
“Jam krenar për faktin se delegacioni i Serbisë në Bruksel udhëtoi për të biseduar dhe për të arritur marrëveshje kompromisi dhe për të mos kërkuar qime në vezë. Ne duam me çdo kusht të ruajmë paqen, stabilitetin dhe jetët e njerëzve. Nuk më vjen turp për këtë. Ne e kuptuam se është e rëndësishme të bëjmë më të mirën, të pranojmë zgjidhje kompromisi, sepse kjo është diçka që është e rëndësishme për ne. Ne bëmë më të mirën. Në një moment i thash përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe emisarit Lajçak që nuk ka asgjë nga kjo. E kuptova se koha do të kalonte, dhe se në fakt pala shqiptare nuk dëshiron asnjë zgjidhje kompromisi, asnjë shtyrje të keqtrajtimit të serbëve”, ka thënë Vuçiq, në një adresim për media.
Vuçiq ka thënë se kishte kërkuar targat “KS” me status neutral, porse u refuzua nga pala kosovare.
“Mjafton që të kemi targa me status neutral KS. Megjithatë pala tjetër reagoi mjaft negativisht. E rëndësishme ishte që kërkova një lloj letre. Unë thash se mund t’i hapim të gjitha temat, por ajo që duhet të bëjmë është të zbatojmë ato që tashmë janë nënshkruar. Kur e thoni këtë, e shihni të gjithë thelbin e problemit, ata po përpiqen të na thonë se ndoshta një ditë do të keni Asociacionin, por vetëm kur në një mënyrë apo tjetrën do ta njihni Kosovën”, tha Vuçiq.
Edhe
Vuçiq: S’na detyrojnë ta njohim Kosovën, s’do të nënshkruaj kurrë marrëveshje
Ai ka thënë se rreth orës 15:00 ishte menduar se është afër marrëveshja.
“Kosova duhet të pezullojë të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me riregjistrim dhe Serbia të mos lëshojë apo rinovojë targa me vende të Kosovës. Ne u morëm vesh, e kam thënë shumë herë, më mirë është të flasim 100 vjet sesa të luftojmë një ditë. Nuk është rastësi që pikërisht sot në mbrëmje, e gjithë policia e Prishtinës është dërguar në katër vende. Serbët e dinë mirë se nuk janë të detyruar të paguajnë haraç që nuk është nënshkruar. Ka zemërim në popullatën në veri të Kosovës e M. Na pret një periudhë e vështirë nga nesër, shumë netë pa gjumë. Duhet të shqetësohemi, por nuk ka vend për panik”, tha Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se situata është shumë e brishtë dhe buzë konfliktit.
“Jemi në situatë të vështirë, në prag të konfliktit, dhe unë e di që përfaqësuesit e serbëve do të më thonë se janë të ngopur me gjithçka dhe se të gjithë mund të vdesin, por ata duhet ta dinë se jeta e të gjithëve është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Ata duhet ta kuptojnë këtë”, ka shtuar Vuçiq.
Ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë “presion ndaj Kurtit dhe të tjerëve, për të ndihmuar në ruajtjen e paqes”.
Edhe
Vuçiq: Pres takime të vështira në Bruksel
Presidenti i Serbisë, tha se është mirënjohës ndaj përfaqësuesve të BE-së që patën durimin për të biseduar për shtatë apo tetë orë.
“Edhe kur shqiptarët kanë pasur dëshira, ne kemi thënë se nuk ka problem, vetëm të zbatohet ajo që është nënshkruar më parë. Ata thonë: ‘Epo atë e ka firmosur ish-qeveria’. Më vjen t’i shkul flokët, imagjinoni sikur të them: ‘Epo kjo është nënshkruar nga Borko Stefanoviqi’”, ka thënë Vuçiq.