Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiq kërkon seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do të kërkojë seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të biseduar për serbët në Kosovë.

Vuçiqi në një adresim publik ka thënë se në Kosovë “po bëhet spastrim etnik dhe se ka nisur në Shtërpcë nga viti 2021”.

Vuçiq ka thënë se Serbisë po i kërkohet të marrë hapa për shtensionim të situatës në Kosovë, porse “Serbia ka bërë çdo gjë që i është kërkuar asaj”.

“Dje kemi pasur bisedime me Lajçakun për dialogun me Prishtinën. BE-ja ka tentuar të kërkojë një lloj shtensionimi”, ka thënë Vuçiq, raporton “B92”. “Serbia përmbushi gjithçka që kërkohej prej saj në mënyrë që të ndodhte shtensionimi. Serbia sot gjendet në situatë më të vështirë, jo për shkak të papërgjegjshmërisë së saj, por për shkak të aktiviteteve të regjimit të Prishtinës, që në heshtje po kryejnë spastrim etnik të serbëve në Kosovë e M.”.

Vuçiq ka thënë se “aksioni i spastrimit etnik” ka filluar në Shtërpcë në vitin 2021.

“Nuk më shkon në mendje të gënjej popullin tim se asgjë s’po ndodh...Dua t’ju informoj se ky aksion i spastrimit etnik kundër popullit serb është i organizuar mirë, i planifikuar dhe i mbështetur nga qarqet ndërkombëtare...” – tha Vuçiq. “Ata morën një vendim që kudo, serbët që mund të jenë pikë rezistence ndaj Prishtinës, të arrestohen, vriten ose të largohen nga Kosova e M. Ai aksion filloi në Shtërpcë qysh në vitin 2021”.

Vuçiq tha se ka “njerëz janë në paraburgim për një vit e gjysmë dhe se raste të tilla nuk ekzistojnë në botë”.

“Ai aksion ishte përgatitur me kujdes, para së gjithash duhej të bëhej kriminalizimi i plotë i popullit serb, gjë që u ndihmua nga shumë media të huaja dhe vendore”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se gjatë “pjesës së dytë të fushatës, po tentohet trembja e popullit në veri të Kosovës”.

Presidenti serb tha se do të kërkojë të mbahet një seancë urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Në seancë do të kërkojmë që të merren masa urgjente për mbrojtjen e jetëve të serbëve. Do të kërkojmë që Këshilli i Sigurimit të urdhërojë që KFOR-i t’i përmbushë të gjitha dispozitat e Rezolutës 1244”, tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, po ashtu i ka reaguar edhe deputetes britanike Alicia Kearns, e cila në një seancë të Parlamentit të Britanisë të martën, ka treguar se si në Kosovë po kontrabandohen armë nga Serbia me anë të autoambulancave dhe po dërgohen në kishat ortodokse”.

“Pretendimet e Alicia Kearns, që njihet për aktivitetet e saja antiserbe dhe lobiste, thonë se tani përveç veprimeve policore, po futen edhe elemente shtesë, si sulme ndaj Kishës Ortodokse Serbe dhe sistemit shëndetësor në Kosovë e M., dy shtylla në Kosovë e M., duke u përpjekur që të trembin serbët”, tha Vuçiq.

Ai ka thënë se autoritetet serbe po e hetojnë Kearnsin dhe aktivitetet e saja.

“Sulmi ndaj Kishës Ortodokse Serbe nuk është i rastësishëm dhe i padëmshëm. Kurti në një fjalim të tij ka thënë se nga armiqtë më të mëdhenj të Kosovës, ekziston një që është më i rrezikshëm se Aleksandar Vuçiq, ai është Kisha Ortodokse Serbe”, tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, po ashtu ka thënë se “Serbia do të përmbushë çdo gjë, por po pret formimin e Asociacionit”.

“Dua t’ua përsërisë anëtarëve të BE-së dhe SHBA-së, ne thanë se do të përmbushëm gjithçka, por presim formimin e AKS-së, e të shohim lirimin e gjithë të arrestuarve. Regjimi i Prishtinës gjeti arsye të mjaftueshme për të arrestuar çdo serb. Është thirrja më e drejtpërdrejtë për spastrim etnik. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedimet, por na është e qartë se gjërat kanë dalë jashtë kontrollit dhe se Serbia është në qosh sokak”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka shtuar se QUINT-i po “mban çdo gjë në kontroll dhe po teston kufijtë e Beogradit”.

“QUINT-i e mban çdo gjë në kontroll. Ata po lënë të shohin se ku janë kufijtë e Beogradit. Nuk i kanë thënë asgjë Kurtit. Ata shpresojnë që të zgjidhet në heshtje problemi i serbëve, dhe mënyra e vetme është që të mos jenë në veri, e shqiptarë atje nuk ka. Ata po përpiqen të bëjnë gjithçka, të shtyjnë gjithçka. Gjithçka u lejohet, është fëmija e tyre”, tha Vuçiq.

Artikuj të ngjashëm