Arbëri

Vonohet themelimi i Ndërmarrjes Publike Lokale në Podujevë

Janë bërë gati një vit prejse është miratuar vendimi për të iniciuar themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale në Podujevë, por deri tash kjo iniciativë nuk është jetësuar. Prej atëherë, sipas zyrtarëve komunalë është përgatitur plani i biznesit dhe arsyeshmëria financiare, por ende nuk është dërguar në Ministri për miratim.

“Është përgatitur plani i biznesit dhe arsyeshmëria financiare. Këtë muaj do të dërgohet për aprovim në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Gjatë këtij viti do të themelohet dhe funksionalizimet”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Sipas tij, veprimtaria e kësaj ndërmarrje do të jetë mirëmbajtja e hapësirave publike, të varrezave, gjelbërimin e qytetit, dezinfektimin, dezinsektimin dhe derratizimin e hapësirave publike.

“Qëllimi kryesor i themelimit të ndërmarrjes lokale është ofrimi i shërbimeve më të mira me kosto më të ulët financiare”, ka thënë ai.

Inicimi i procedurave për themelimin e një ndërmarrje publike lokale nga ekzekutivi i Podujevës ishte mirëpritur edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile në këtë komunë. Atëkohë, ata shpreheshin se me themelimin e saj do të përmirësohen shërbimet për qytetarë, sidomos për ato fusha që tash për tash nuk ofrohen shërbime. Megjithatë, sfidë sipas tyre, mbetet pajisja e makinerive me të cilat duhet të funksionojë kjo ndërmarrje dhe po ashtu rekrutimi i stafit.

“Vendimi për t’i hapur rrugë një procesi që e themelon një ndërmarrje publike lokale është inkurajues, është mirë nëse i shohim fushat të cilat është paraparë që do t’i mbulojë kjo ndërmarrje publike dhe mendoj se qytetarët do të kenë një përfitim të marrin shërbime më të mira, sidomos kur flasim për shërbimet rreth tregut edhe parkingjeve publike, të cilat deri më tash nuk kanë qenë të rregulluara”, kishte thënë Shemsi Jashari, drejtor ekzekutiv i Rrjetit të OJQ-ve “Demokracia Fillon Këtu”.

Edhe Rexhep Zeka, drejtor ekzekutiv i OJQ “Studimi i Demokracisë në Kosovë” kishte thënë se vendimi për të nisur procedurat për themelimin e një ndërmarrje publike lokale është në interes të qytetarëve.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë kishin thënë se brenda vitit shpenzohen rreth 400 mijë euro për fushat që parashihet të mbulohen nga kjo ndërmarrje.