Ambasadorja amerikane në Podgoricë ka vlerësuar lartë diasporën shqiptare nga Mali i Zi në SHBA dhe kontributin e tyre në çështjet kyçe për zhvillimin e shoqërisë demokratike në Malin e Zi dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu ka pritur ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Malin e Zi, Judy Rising Reinke dhe në atmosferën miqësore shkëmbyen mendimet dhe informata mbi situatën politike në Mal të Zi, në shtetet e rajonit, si dhe mbi përparimin e Malit të Zi në negociatat për integrimin në BE.
“Me ambasadoren e SHBA-se ne MZ Judy Rising Reinke biseduam shumë pyetje si ato politike dhe shoqërore. Kemi mjaft sfida me të cilat përballemi në jetën tonë të përditshme. Duke vlerësur të arriturat, por edhe theksuar më tepër mbi problemet. Kënaqësi e veçantë për mua të vlerësoj rolin e SHBA-ve në të arriturat tona. Plotësisht të dakorduar mbi rëndësinë e synimeve tona për evrointegrimin dhe zhvillimit të proceseve demokratike”, tha Nimanbegu.
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, e njoftoi ambasadoren me aktivitetet e kuvendit në grupin për reformën zgjedhore, me qëllim të përmirësimit të klimës zgjedhore në Malin e Zi, që momentalisht është në bllokadë. Gjithashtu, e njoftoi edhe me zgjidhjet ligjore dhe kërkesat e partive të popujve pakicë, në veçanti të atyre shqiptare, që do të sillte deri te përfaqësimi autentik i pakicave në Kuvend.
Nimanbegu e njoftoi ambasadoren amerikane me çështjet e rëndësishme lidhur me avancimin e pozitës së komunave me shumicë shqiptare, para së gjithash në fushën e zhvillimit ekonomik, ekologjisë dhe mjedisit jetësor (çështja e Kripores), privatizimit (çështja e hoteleve të Ulqinit) dhe restitucionit (kthimit të pronave të nacionalizuara pronarëve të vërtetë). Gjithashtu, ambasadorja e vlerësoi diasporën shqiptare nga Mali i Zi në SHBA si dhe kontributin e saj në çështjet kyçe për zhvillimin e shoqërisë demokratike si në Malin e Zi, ashtu edhe në SHBA.
Edhe
Escobar: Mbështesim kontributin e Malit të Zi në NATO dhe rrugën e shtetit drejt BE-së
Fokus i posaçëm interesimi i ambasadores Reinke ishte edhe mbrojtja e mjedisit jetësor, me theks të veçantë në zgjidhjen e çështjes së Kripores së Ulqinit, si oazë unike jo vetëm e Ulqinit dhe Malit të Zi, por edhe më gjerë.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi i shkëlqyeshëm i SHBA-ve dhe Malit të Zi të vazhdojë edhe më tutje në dobi të interesit të përgjithshëm të demokratizimit të shoqërisë dhe qytetarëve të të dy shteteve dhe administratave, duke theksuar se Ambasada do të ketë në fokus të posaçëm të rinjtë dhe edukimin e tyre, si bartës të zhvillimit të ardhshëm të shoqërisë./syri