Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka njoftuar se nesër, ditë e shtune e datës 29 shtator, do të marrë pjesë në protestën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Sot, nesër dhe çdo ditë tjetër, PROTESTOJ kundër ndarjes dhe zhbërjes së shtetit të Kosovës”, ka shkruar Osmani në një postim në profilin e saj në Facebook.
Më tutje, ajo ka dhënë disa arsye pse do të jetë e pranishme në këtë protestë.
Lexoni arsyet që ka parashtruar Osmani:
- Sepse tendenca për ndarje dhe për ndryshim kufijsh e rrezikon vetë qenësinë e shtetit të Kosovës, dhe kur rrezikohet të zhbëhet shteti, e kemi detyrim qytetar t’i themi JO.
Edhe
Osmani: VV-ja s’ka arsye për të refuzuar emrin tim
- Sepse shpërblimi i Serbisë me tokë të Kosovës, kur asnjë lider serb nuk ka kërkuar falje për mijëra të vrarë, përfshirë shumë fëmijë, shumë të zhdukur, qindra mijëra shtëpi të shkatërruara e mbi 1 dekadë të regjimit represiv serb, nuk duhet të pranohet.
- Sepse kur shteti është në rrezik, nuk duhet të kenë më rëndësi ideologjitë, partitë apo dallimet e tjera. Të gjithë e kemi vetem një atdhe.
- Sepse po heshtëm tani, viktimat e luftës dhe të pasluftës në veriun e vendit nuk do të jenë të qetë në varret e tyre - sepse ata u vranë në tokat që sot disa po i quajnë ‘dhuratë nga Rankovici’;
- Sepse po heshtëm tani, do të vdesë shpresa e çdo qytetari të veriut i cili është refugjat në vendin e tij;
- Sepse për të qenë shtet, Kosovës nuk i duhet vula e Serbisë; sepse shteti ynë ka vulën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë; por mbi të gjitha, shtetësia jonë është vulosur nga sakrifica shumë-vjeçare e popullit tonë;
- Sepse për Presidentin dhe bashkëbiseduesit e tij është në pyetje vetëm karriera e tyre politike, por për ne është në pyetje e ardhmja e fëmijëve tanë.
Edhe
Osmani: Po kthehem në shtëpinë time
Dhe për këtë, do të protestojë jo vetëm me 29 shtator, por çdo ditë nëse është nevoja.
Lëvizja Vetëvendosje, ka thirrur protestë që do mbahet nesër në Prishtinë duke filluar nga ora 14:00, me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”.