Diplomatët ndërkombëtarë janë ndezur në përpjekjen për arritjen e një zgjidhjeje mes Kosovës dhe Serbisë për t’i shmangur tensionet në veriun e populluar me shumicë serbe.
Një javë pas takimit në Bruksel, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka ardhur në Prishtinë. Vizitën e ka nisur duke takuar të martën presidenten Vjosa Osmani, pas të cilit nuk ka pasur deklarata për media.
E, zyrtarë tjerë amerikanë kanë folur për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit amerikan, Ned Price, ka deklaroi se sekretari Anthony Blinken është i gatshëm të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi.
“Është një dialog që ne e mbështesim shumë dhe mendojmë se është detyrë e të dyja palëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi në masën maksimale, për t’i çuar përpara diskutimet e tyre mbi marrëdhëniet e normalizuara, të përqendruara edhe në njohjen reciproke. Nëse mendojmë se angazhimi i sekretarit nëpërmjet telefonit ose personalisht është përbërësi i domosdoshëm për të kaluar diçka në vijën e finishit, sekretari Blinken nuk heziton ta marrë telefonin dhe t’i bëjë ato biseda”, tha Price.
Në ditën e dytë të vizitës në Kosovës, emisarit amerikan do t’i bashkohet ndërmjetësi nga Brukseli, Miroslav Lajçak. Zyra e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Borrell, ka bërë të ditur se angazhimi i tyre do të jetë në gjetjen e një zgjidhjeje që shmang tensionet në veri, para shtatorit kur planifikohet të vihet në zbatim reciprociteti në targa dhe letërnjoftime.
“BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me të dyja palët dhe do ta vazhdojë angazhimin e saj edhe këtë javë. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të jenë të gatshëm për kompromise për ta depërshkallëzuar situatën dhe t’i shmangin tensionet para 1 shtatorit”, thuhet nga BE.
E, opozita pret të informohet nga përfaqësuesi special amerikan lidhur me negociatat e Brukselit, teksa kanë kritikuar Qeverinë për mungesë transparence.
“Nuk kemi asnjë paragjykim sa i përket takimit (me Escobarin). Nuk e dimë se për çka do të flitet. Ne kemi informacione aq sa keni edhe ju, burimet e informimit i kemi të njëjta fatkeqësisht. Kur kemi qenë bashkërisht në opozitë me Lëvizjen Vetëvendosje gjatë qeverisjes së PAN-it kemi miratuar disa rezoluta në Kuvend, të cilat është kërkuar raportimi para dhe pas çdo takimi. Ne kemi pritur që raportime të tilla dhe takime me opozitën të ketë edhe gjatë kësaj Qeverie, por fatkeqësisht tani po i bie që LDK-ja dhe partitë e tjera opozitare po informohen nga ndërmjetësi e jo nga partitë në qeveri, këtë rast kryeministri Kurti. Çdo marrëveshje në fund pritet ta ketë miratimin e Kuvendit dhe të të gjithëve, prandaj do të duhej të kishte një përfshirje më të madhe dhe informim të të gjitha partive opozitare”, tha Hykmete Bajrami e LDK-së.
Javën e kaluar në Bruksel palët dështuan për gjetjen e një zgjidhje rreth çështjeve që prodhuan tensione në veri.