Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), Krenare Sogojeva, gjatë raportimit të saj në Komisionin për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, ka thënë se kjo Agjenci gjatë vitit të kaluar ka pranuar gjithsej 145 ankesa.
Këto ankesa sipas saj kanë qenë kryesisht për përpunim të të dhënave personale nga ana e kontrolluesve.
“Natyra e ankesave të pranuar në AIP ka qenë kryesisht për përpunimin e të dhënave personale nga ana e kontrolluesve, me ç ‘rast të dhënat e tyre janë përpunuar me qëllim të marketingut të drejtpërdrejtë (40 ankesa), përpunimi i paautorizuar i të dhënave përfshirë edhe të dhënat e ndjeshme (22 ankesa), përpunim i të dhënave përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë (33 ankesa), dhe keqpërdorim i të dhënave personale (50 ankesa), që përfshijnë përpunimin e të dhënave pa pëlqimin e subjektit, përpunimin e të dhënave personale përmes rrjeteve sociale, si dhe përpunimi i të dhënave jo të sakta”, është shprehur Sogojeva.
Ajo ka treguar edhe se ndaj kujt janë drejtuar ankesat.
“Këto ankesa kanë qenë kryesisht të orientuara ndaj institucioneve qendrore, institucioneve lokale, sektorit bankar, sektorit mikrofinanciar, kompanive të sigurimeve, sektorit shëndetësor, qendrave tregtare, etj. Ndaj institucioneve publike ka pasur gjithsej tridhjetë e dy (32) ankesa, ndërsa ndaj institucioneve private njëqind e trembëdhjetë (113) ankesa”, ka theksuar Sogojeva
Ajo ka folur edhe për të dhënat e gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021. Në këtë periudhë ajo ka thënë se kanë pranuar 35 ankesa për përpunim të të dhënave personale, prej të cilave 10 kanë qenë ndaj institucioneve publike e 25 ndaj atyre private.
Anëtari i Komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashti Qalaj, ka thënë se qytetarët po janë shumë të privuar nga e drejta për qasje në dokumente publike. “Kërkoj nga ju të dilni me kampanja dhe ta informoni publikun për rolin dhe rëndësinë e institucionit tuaj. Sepse, besoni që gjendja është shume keq. Sa i përket çështjes së gjobave, mos shkoni me gjoba minimale, por shkoni ashtu siç e thotë ligji sepse gjoba minimale nuk është zgjidhje”, është shprehur Qalaj.