Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton se Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar kërkesat e Vitisë dhe Ferizajt për kyçjet shtesë në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Kyçja e Gërlicës së Vitisë, ajo në hyrje të Ferizajt dhe ndërtimi i mbikalimit të Paldenicës së Hanit të Elezit, janë kërkesa të parashtruara nga banorët dhe drejtuesit e komunave në fjalë si dhe një grupi të deputetëve të kuvendit të Republikës së Kosovës nga legjislatura e kaluar, të miratuara edhe nga anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror për Zhvillimin e Projektit të Autostradës R6.
Meqë këto ndërhyrje nuk kanë qenë pjesë e projektit fillestar, në vazhdim nevojitet projektim dhe ndërtim i tyre, punë kjo që do të bëhet nga konsorciumi Bechtel Enka, punëkryes të tërë autostradës.
MIT njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, se autostrada Prishtinë – Hani i Elezit “Arbën Xhaferi”, do të hapet për qarkullim të automjeteve, të mërkurën (29.05.2019) në orën 17:00.
Paraprakisht, gjatë ditës, do të mbahet ceremonia zyrtare e përurimit të këtij projekti, organizim ky nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.