Për rastin e vdekjes së vajzës 4-vjeçare në QKUK, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia bashkë me drejtorin e SHSKUK-së Elvir Azizi raportuan të hënën, para dy komisioneve parlamentare lidhur me trajtimin që ka marrë e ndjera në institucionet publike shëndetësore. Sipas tyre, ajo ishte trajtuar në mënyrë adekuate
Me nismën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, të hënën u mbajt një mbledhje me pjesëmarrjen e dy komisioneve parlamentare, për Shëndetësi e Mirëqenie Sociale dhe atij për të Drejtat e Njeriut, ku u diskutua lidhur me vdekjen e vajzës 4-vjeçare, përkatësisht me dyshimet e ngritura nga familja për neglizhencë gjatë trajtimit të saj.
Para deputetëve raportuan ministri Vitia, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Elvir Azizi si dhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj.
“Shkaktari, edhe pse natyrisht duhet t’i presim rezultatet përfundimtare, duket se ka qenë një baterie ‘Neseria Meningitidis’ e cila gjendet normalisht në hundë dhe në momente të rënies eventuale të imunitetit dhe këtë më shpesh te fëmijët e moshës 6 muaj deri në 5 vite, mund të shkaktojë diagnozë të tillë të rëndë që në raste jo të rralla, është vdekjeprurëse. Për momentin çdo pretendim të diagnostikimit me kohë në stade të para të kësaj gjendje është sfidë në vete edhe për mjekësinë. Këtë natyrisht do ta vërtetojnë hetimet nga trupat profesionale. Por, çdo pretendim tani, se çdo veprim ndryshe ka mundur të ketë epilog tjetër, për momentin qëndron vetëm si spekulim”, theksoi ministri Vitia.
E drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, u shpreh se 4-vjeçarja nga Gjakova e ka marrë trajtimin e duhur, duke nisur nga Spitali Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ku u pranua fillimisht.
“Mirëpo edhe për kundër trajtimit adekuat, 30 minuta pas pranimit të kujdestarisë fëmija bie në arrest kardiak, reanimohet manualisht, rikthehen tonet por ka qenë ‘bradikadi’. Fëmija bie në arrest kardiak prapë, reanimohet prapë dhe merret terapi medikamentoze por arresti ishte i pakthyeshëm dhe përkundër të gjitha masave rehabilituese fëmija eksiton në ora 8:51”, deklaroi Azizi.
Deputetët e pranishëm thanë se po i presin rezultatet hetimore dhe se nuk duan që rasti të përdoret për poenë politikë.
Për vdekjen e vajzës 4-vjeçare pati reagime të shumta në opinionin publik, pasi që u raportua se ajo ishte neglizhuar nga punonjësit shëndetësorë, meqë i takonte komunitetit rom. Por kjo është mohuar nga institucionet shëndetësore në Gjakovë e Prishtinë.