Viti 2019 evropianët e rinj i gjen të ngujuar brenda Kosovës, ani pse qe shumë vjet iu premtua liberalizimi i vizave.
Premtimin i pari e dha presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në dhjetor të 2015-ës, në atë kohë si ministër i Punëve të Jashtme, pasi u kthye nga Strasburgu, raporton KTV.
Ndërkaq, më 2016-n, e shpalli punë të kryer.
“Pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzime. Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Javë historike”, kishte shkruar Thaçi më 4 maj të 2016-s.
Këso paralajmërimesh nga liderët shtetërorë e partiakë ka pasur në vazhdimësi.
Si punë të kryer liberalizimin e vizave për këtë vit së fundmi e paraqiti kryeministri Ramush Haradinaj. Ai pas kthimit nga Samiti i Berlinit, i uroi qytetarët për heqje te vizave.
Por, këtë e përgënjeshtroi ambasadori gjerman, Christian Heldt. Ai tha se liberalizimi do të ndodhë, mirëpo nuk dihet se kur.
“Ajo çka duam të bëjmë për Kosovën, është që duam ta anëtarësojmë në BE, ne nuk e dimë kur do të ndodhë liberalizimi, por do të ndodhë dhe duhet të ndodhë. E di që ka shumë nxënës që shkojnë në Gjermani, që shkojnë të njihen me bashkëmoshatarë, por edhe nga Gjermania që vijnë këtu. Është me rëndësi edhe për mua që të shkoni atje dhe të mos prisni me muaj, por të blini një biletë dhe të niseni. Por, kemi edhe një qëllim, që ju të ndiheni si pjesë e Evropës”, ka thënë Heldt.
Skeptik se do të ndodhë liberalizimi shpejt, janë shprehur edhe qytetarët e anketuar.
Ani pse nuk mund të lëvizin lirshëm në Evropë, në Prishtinë janë organizuar disa aktivitete për nder të 9 Majit, Ditës së Evropës.
Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, tha se festimi i 9 Majit, është veprim i duhur, mirëpo ka thënë se nuk mund të japë datë se kur mund të ndodhë liberalizimi.
“Sot kremtojmë vlerat tona të përbashkëta dhe identitetin si evropianë. Mendoj se është me rëndësi që edhe Kosova po kremton, sepse nënkupton që identifikoheni si evropianë, sa iu përket vizave nuk shoh lidhje mes kremtes së vlerave evropiane dhe procesit të liberalizimit të vizave. Të gjithë e dimë se liberalizimi do të ndodhë për Kosovën, por pyetja është kur? Por, kjo nuk nënkupton që ju nuk jeni evropianë dhe nuk do ta kremtoni me ne të ardhmen tonë të përbashkët”, ka thënë Apostolova.
Ndërsa, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se, nuk do të japë më data, pasi i kanë dështuar premtimet e mëhershme.
Liderët e institucioneve në Ditën e Evropës kanë bërë thirrje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe për qartësimin e perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë ditë, përveç festës në Prishtinë, pati edhe protestë për mosliberalizim të vizave.