Arbëri

Viktimat e Vushtrrisë

Pjesë nga procesi gjyqësor i Tribunalit për Hetimin e Personave Përgjegjës për Shkelje të Rënda të së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare të Kryera në Territorin e ish-Jugosllavisë që nga viti 1991 (Gjykimi publik i CTY-së me anekse konfidenciale. Prokurori kundër Vlastimir Gjorgjeviqit, 23 shkurt 2011. Paragrafët 1163-1214).) Teksti ishte botuar në Kohën Ditore në shtator të 2016-s.

Forcat paramilitare serbe hynë në qytezën e Vushtrrisë në Kosovën veriore në fund të marsit 1999. Dëshmia në vazhdim, bazuar në ato çfarë kanë parë me sytë e tyre dëshmitarët, është sjellë para Tribunalit të Hagës në rastin e gjykimit të vitit 2011 të Vlastimir Gjorgjeviqit dhe vë në pah natyrën e errët të ngjarjeve që ndodhën atje dhe në rrethinë

1. Forcat serbe, disa me uniforma të kaltra kamuflazhi dhe të tjera ushtarake të gjelbra, arritën më 27 mars 1999 në një shkollë në qytezën e Vushtrrisë. Dëshmitari Sabit Kadriu pa dy serbë të veshur me rroba civile që po hynin në një shtëpi përballë shkollës. Pas pak pa se ajo shtëpi dhe shtëpia fqinje ishin përfshirë nga flakët. Dëshmitari kishte parë gjithashtu forcat serbe me uniforma të gjelbra kamuflazhi në rrethinën e shtëpive që po digjeshin.

2. Në të njëjtën ditë në mbrëmje, pjesa e çarshisë së vjetër të Vushtrrisë dhe qendra e qytetit ishin djegur. Minarja e një xhamie të shekullit të shtatëmbëdhjetë që ndodhet në qendër të qytetit ishte djegur dhe rrëzuar. Ishin djegur edhe objektet përcjellëse që ndodheshin afër xhamisë.

Britma dhe dyer që po përplaseshin ishin dëgjuar nëpër qytet. Më 28 mars 1999, në mëngjes, ishin dëgjuar të shtëna në qytet. Mëngjesin e 29 marsit 1999, tre ose katër trupa ishin gjetur në një rrugë afër urës së vjetër të Vushtrrisë.

3. Dëshmia konfirmon se gjatë asaj kohe, uniforma të kaltra kamuflazhi ishin përdorur prej policëve dhe se uniforma të gjelbra kamuflazhi bartnin ushtarët e ushtrisë jugosllave dhe PJP-ja e MUP-it. Prania e MUP-it dhe forcave të ushtrisë jugosllave në qytezën e Vushtrrisë ishte përkrahur nëpërmjet një urdhri të lëshuar prej Komandës ushtarake të zonës dhe datonte më 27 mars 1999, duke dërguar 54 anëtarë të detashmentit ushtarak të Prishtinës në qytezën e Vushtrrisë.

Me këtë urdhër ishin ngarkuar njësitet e ushtrisë jugosllave që të vepronin në koordinim me forcat e MUP-it për vënien e kontrollit në rrethinën e Vushtrrisë. Një tjetër dokument lë të kuptohet për praninë e dy togave të kompanisë së tretë të PJP-së në komunën e Vushtrrisë atëherë.

4. Më 1 prill 1999, rreth orës tetë e dyzet të mëngjesit, qytetarët në qytezën e Vushtrrisë dëgjuan zëra njerëzish që bërtisnin dhe i urdhëronin njerëzit të largoheshin nga shtëpitë. Këta zëra dëgjoheshin prej atyre policëve që kishin veshur uniforma të kaltra kamuflazhi. Banorëve u ishte thënë të shkonin te varrezat. Tre prej policëve po i urdhëronin qytetarët që të nguteshin sa më shpejt, dhe Sabit Kadriu e njohu njërin prej policëve që ishte Dragan Petroviq, komandant i stacionit policor të Vushtrrisë. Ai gjithashtu pa një polic që po e rrihte një qytetar me kondak teksa po refuzonte të largohej nga shtëpia.

5. Kur qytetarët e qytezës së Vushtrrisë mbërritën te varrezat, nuk kishte asnjë anëtar të forcave serbe aty. Megjithatë, tre autobusë të kompanisë private, “Hajra” po prisnin, ashtu siç ishin instruktuar prej policisë. Një shofer u tha se policia e kishte urdhëruar që t’i çonte deri te kufiri me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Shumica e qytetarëve që ishin mbledhur te varrezat e qytetit hipën nëpër autobusë, por për shkak të mungesës së hapësirës, disa prej tyre u detyruan të ecnin prapa mjeteve të transportit. Sabit Kadriu nuk kishte hipur në autobus dhe ia kishte dalë të mbërrinte deri te shtëpia e komandantit të UÇK-së në Studime të Epërme. Kjo shtëpi ishte plot me njerëz që ishin zhvendosur prej fshatrave përreth. Më 2 prill 1999, Sabit Kadriu u zhvendos në Ceceli, që ishte nën kontroll të UÇK-së.

Sfaraçaku i Poshtëm

6. Fshati Sfaraçak i Poshtëm shtrihet në fushën e rrethinës së Vushtrrisë. Fshati fqinj, Sfaraçak i Epërm, shtrihet në terrenin me lartësi më të lartë në veri të Sfaraçakut të Poshtëm. Në mars 1999, Sfaraçaku i Poshtëm kishte tetëdhjetë shtëpi shqiptarësh dhe rreth dhjetë shtëpi serbësh. Dhe Sfaraçaku i Epërm shihet krejtësisht me sy prej Sfaraçakut të Poshtëm.

7. Forcat e ushtrisë jugosllave zunë pozicionet në mars 1999 në lagjen Llapzoviq në fshatin Samadraxhë dhe në kodrat e Sfaraçakut të Epërm nën anën e Studimes së Poshtme.

8. Të gjitha familjet serbe u larguan më 27 mars 1999 nga Sfaraçaku i Poshtëm drejt fshatit Nedakoc. Ditën tjetër, Fedrije Xhafa, banore shqiptare e Sfaraçakut të Poshtëm, dëgjoi krisma të fuqishme armësh dhe pa se po digjeshin shtëpitë e fshatit Sfaraçak i Epërm. Nga frika e ngjarjeve që mund të pasonin dhe e sigurisë së tyre, të gjithë banorët, me disa përjashtime, të Sfaraçakut të Poshtëm, u larguan nga shtëpitë e tyre me një konvoj.

Konvoji kaloi nëpërmjet fshatit Dumnicë e Epërme dhe Samadraxhë, përpara se të ndalej në Vesekoc. Babai, mixha dhe kushëriri i Fedrije Xhafës, që kishin qëndruar në fshatin Sfaraçak i Poshtëm, ishin detyruar me forcë të largoheshin nga fshati menjëherë pas konvojit për shkak të rrezikut që vinte për shqiptarët e Kosovës nga të shtënat e snajperëve që vinin nga drejtimi i fshatit Nedakoc. Kësaj here nuk ishin lejuar të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre familjet shqiptare.

9. Në fund të luftës, kur banorët e Sfaraçakut të Poshtëm ishin kthyer nëpër shtëpitë e tyre, panë se shtëpitë që u takonin familjeve të shqiptarëve ishin djegur, por jo edhe ato të familjeve serbe, që nuk ishin prekur fare.

Studimja e Poshtme dhe Sllakoci

10. Fshati Studime e Poshtme ndahet në dy lagje të Mëhallës së Poshtme dhe Mëhallës së Epërme. Mëhalla e Epërme njihet edhe si Rashicë. Shtrihet në pjesën bregore të Studimes së Poshtme. Forcat serbe ishin të pranishme më 28 dhe 29 mars 1999 në Sfaraçakun e Poshtëm dhe në Rashicë.

Studimja e Poshtme nisi të granatohej nga granatat dhe armët tjera serbe, duke detyruar popullsinë lokale të dilte në kodrat përreth. Forcat serbe besohej më 29 mars 1999 se ishin pjesëtarë të policisë lokale të Vushtrrisë, që kishin ardhur në Studime të Poshtme dhe u kishin thënë banorëve të largoheshin për pesëmbëdhjetë minuta nga fshati ose i prisnin pasoja të panjohura.

Fshatarët pastaj u larguan në kodrat përreth fshatit. Pjesa e poshtme e Studimes së Poshtme u sulmua me armë zjarri, derisa Rashica po granatohej prej tankeve dhe artilerisë së rëndë të ushtrisë jugosllave. Gjatë operacionit, shtëpitë në fshat ishin djegur. Një dëshmitar në pyll kishte parë forcat serbe të vendosura në Studime të Poshtme, që nuk kishin lëvizur disa ditë me radhë.

11. Ndërmjet 7 dhe 10 prillit 1999, Shukri Gërxhaliu ishte në shtëpinë e tij në Studime të Poshtme. Rreth datës dhjetë prill 1999, ai dëgjoi se forcat serbe po shkonin ta merrnin. Duke u frikësuar për sigurinë e tij, u fsheh në shkurre prapa shtëpisë së tij. Derisa po qëndronte i fshehur në shkurre, dëgjoi se forcat serbe po i kërkonin në shqip e serbisht t’u tregonte se ku ndodhej burri.

Gruaja i kishte treguar më vonë se ata ishin oficerë policorë serbë. Më vonë e pa se shtëpia e Izet Bunjakut po digjej nga flakët e zjarrit. Pas këtij incidenti, Bunjaku mori familjen dhe shkoi në zonën e kontrolluar nga UÇK-ja në malet përreth. Rrugës derisa po ecnin nëpër rrjedhën që rridhte përgjatë rrugës në drejtim të Studimes së Poshtme, familja e tij ishte në shënjestër të krismave, por fatmirësisht nuk ishte qëlluar.

Kur dolën në zonën e Rashicës, familja u granatua edhe prej tankeve të ushtrisë jugosllave. Derisa familja po mbërrinte në një rrip toke me gjatësi prej dyqind a treqind metrash, që shtrihej ndërmjet UÇK-së dhe territorit të kontrolluar nga serbët ndërmjet Studimes së Poshtme dhe Studimes së Epërme, ishin marrë prej njerëzve me kuaj e qerre, dhe ishin dërguar në Sllakoc, ku ndodheshin forcat e UÇK-së.

Masakra e Studimes

Njëri prej dëshmitarëve pa forcat serbe që iu afruan një traktori dhe vazhdimisht i kërkonin para shoferit të traktorit. Pastaj pa se si policia e nxori shoferin nga traktori. Babai i shoferit të traktorit, Sherif Bunjaku, iu përgjërua që të mos ia vrisnin djalin. Sidoqoftë pasoi breshëria e gjuajtjeve automatike dhe shoferi u vra. Shoferi nuk kishte armë. Dhoma e gjykatës ka vërtetuar se shoferi ishte Hysni Bunjaku, shqiptar nga Kosova, emri i të cilit është në listën e mëposhtme dhe ishte 21 vjeç kur e vranë. Pjesëtarët e forcave policore u dëgjuan duke thënë se kishin vrarë pesëdhjetë persona dhe se nuk do të ndaleshin derisa shifra të arrinte në 100

12. Deri në fund të prillit të vitit 1999, UÇK-ja u rezistoi forcave serbe në rrethinën e Vushtrrisë. Sidoqoftë, rreth 28 prillit 1999, forcat serbe që me sukses po avanconin në kurriz të pozicioneve të UÇK-së në male, në drejtim të Mitrovicës, morën kontrollin e Bajgorës, dhe krijuan një kamp në Bare. Ishte lansuar një ofensivë e madhe prej forcave serbe nga drejtimi i Podujevës dhe Serbisë. Më 1 maj 1999, forcat serbe avancuan në Vesekoc.

13. Rreth datës së 28 prillit 1999, një avancim i forcave serbe në rrethinë shkaktoi zhvendosjen e shqiptarëve të Kosovës, që po strehoheshin në male në rajonin e Shalës, të shpërnguleshin drejt Samadrexhës, Sllakocit dhe Cecelisë.

14. Një urdhër i datës 15 prill 1999 nga Komanda e përbashkët lë të kuptohet se Korpusi i Prishtinës i Ushtrisë Jugosllave ishte dërguar atëherë për të përkrahur trupat e MUP-it për “thyerjen dhe shkatërrimin e forcave të UÇK-së në Zonën e Shalës, përfshirë Samadrexhën dhe Cecelinë.

15. Më 1 maj 1999, forcat serbe avancuan në Vesekoc, fshat që shtrihet në pjesën verilindore të Komunës së Vushtrrisë. Mbrëmjen e së njëjtës ditë, forcat serbe nisën granatimin e Vesekocit.

16. Atë ditë në fshatin Sllakoc, që shtrihet në jug të Vesekocit, UÇK-ja po i rezistonte avancimit të forcave serbe që po vinin nga fshati Melenicë dhe Zona e Llapit. UÇK-ja i kishte njoftuar banorët në Sllakoc se po ngeleshin pa municion për ta mbrojtur Sllakocin dhe u tha të shkonin në qytetin e Vushtrrisë. Njëherësh, UÇK-ja u zhvendos nga Sllakoci në drejtimin lindor dhe forcat serbe nisën ta granatonin Sllakocin.

17. Më 2 maj 1999, diku rreth orës 11 të ditës, Sllakoci po granatohej me intensitet të shtuar. Shtëpitë po digjeshin flakë dhe po dëgjoheshin të shtëna automatikësh. Menjëherë forcat serbe të këmbësorisë hynë në Sllakoc. Rreth orës një të drekës, më shumë se tridhjetë mijë shqiptarë të Kosovës u larguan nga Sllakoci me kuaj e makina.

18. Kolona së pari udhëtoi drejt Cecelisë para se të vazhdonte drejt Studimes së Epërme, Studimes së Poshtme dhe qytetit të Vushtrrisë. Rruga ndërmjet Sllakocit dhe Studimes së Epërme ishte rreth shtatë kilometra e gjatë. Ndërmjet Cecelisë dhe Studimes së Epërme, kolona ishte granatuar prej Ushtrisë Jugosllave dhe të shtënave që vinin prej Sllakocit, lagjes Rashica në Studime të Poshtme, Sfaraçakut të Epërm dhe prej veriut. Rreth orës tre të pasdites, granatimet dhe të shtënat e mitralozit detyruan kolonën të ndalej në Studime të Epërme. Së paku dy persona ishin plagosur prej gjuajtjeve.

19. Ndërmjet orës katër dhe pesë të pasdites të së njëjtës ditë, kolona nisi të lëvizte përsëri. Sidoqoftë, derisa kolona po ecte me disa pengesa të herëpashershme, dëgjoheshin edhe gjuajtje mitralozi. Rreth orës gjashtë të pasdites, kolona ishte ndalur në një lokacion rreth tri kilometra prapa Studimes së Epërme dhe rreth një kilometër pa mbërritur në Studime të Poshtme. Forcat serbe kishin nisur zbatimin e orës policore prej orës katër të pasdites në rrethinë. Me të rënë nata, u pa se po digjeshin flakë shtëpitë në Studime të Epërme dhe po dëgjoheshin gjuajtje mitralozi që po vinin prej atij fshati.

20. Rreth orës pesë të pasdites, forcat serbe mbërritën te kolona prej anës veriore me makina APC dhe pinzgauerë. Pjesëtarët ishin me uniforma të gjelbra kamuflazhi, uniforma të kaltra kamuflazhi dhe uniforma të zeza. Disa prej tyre kishin edhe shami në kokë. Kishte pjesëtarë me fytyra të ngjyrosura. Disa prej tyre kishin maska që ua mbulonin fytyrat, vetëm me vrima në sy dhe gojë. Maskat zgjateshin deri në gjoks. Ishin maska plastike. Të ngjyrosura i kishin vetullat dhe mustaqet. Forcat serbe janë përshkruar si paramilitare.

Ka edhe dëshmi të tjera se forcat paramilitare kishin uniforma të zeza dhe shami, dhe kishin maska ose kishin fytyra të ngjyrosura. Derisa përshkrimi i forcave serbe me uniforma të zeza është i qëndrueshëm me ato të forcave paramilitare, prania e uniformave të kaltra dhe të gjelbra kamuflazhi konfirmon sipas gjetjeve të dhomës së gjykatës se kishte edhe pjesëtarë të MUP-it dhe Ushtrisë Jugosllave në forcat e përziera serbe, që kishin ardhur te kolona.

21. Forcat serbe u kërkuan para njerëzve në kolonë dhe u kërcënuan se do të dhunonin gruan e një dëshmitari nëse nuk do t’u jepeshin para. Gruaja e dëshmitarit u dha pak para. Miku i dëshmitarit, Halil Basholli, ishte pyetur për identitetin dhe prej nga ishte. Ai pastaj ishte rrahur brutalisht prej forcave serbe me një pushkë, shkopinj druri dhe kërbaç policie. Halil Basholli ishte lënduar rëndë si pasojë e rrahjes.

22. Një grup tjetër i burrave të armatosur serbë, të identifikuar si policë, duke drejtuar makina “Jeep” dhe APC, arritën në zemër të kolonës së të zhvendosurve që kishin mbetur në rrugën e Studimes së Poshtme. Policia erdhi prej drejtimit të lagjes Rashica në Studime të Epërme. Ata e shtynë një makinë në një përroskë pasi ishte në rrugë. Pastaj zbarkuan nga makinat e tyre dhe u kërkuan para njerëzve në kolonë, duke i qëlluar burrat që nuk jepnin para.

Njëri prej dëshmitarëve pa forcat serbe që iu afruan një traktori dhe vazhdimisht i kërkonin para shoferit të traktorit. Pastaj pa se si policia e nxori shoferin nga traktori. Babai i shoferit të traktorit, Sherif Bunjaku, iu përgjërua që të mos ia vrisnin djalin. Sidoqoftë pasoi breshëria e gjuajtjeve automatike dhe shoferi u vra. Shoferi nuk kishte armë. Dhoma e gjykatës ka vërtetuar se shoferi ishte Hysni Bunjaku, shqiptar nga Kosova, emri i të cilit është në listën e mëposhtme dhe ishte 21 vjeç kur e vranë. Pjesëtarët e forcave policore u dëgjuan duke thënë se kishin vrarë pesëdhjetë persona dhe se nuk do të ndaleshin derisa shifra të arrinte në 100.

23. Rreth së njëjtës kohë, Shukri Gërxhaliu, që po udhëtonte në kolonë, dëgjoi burrat duke folur serbisht teksa po i afroheshin traktorit të Haki Gërxhaliut dhe familjes së tij, që ishte menjëherë pas rimorkios së Shukri Gërxhaliut. Haki Gërxhaliu kishte zbritur nga traktori dhe u qëllua menjëherë. Nga frika se do ta vrisnin, Shukri Gërxhaliu, u hodh nga rimorkioja që të ikte. Derisa po ikte, ra në trupin e Haki Gërxhaliut, që ishte përtokë pranë traktorit të tij. Ishte i vdekur. Shumë anëtarë të familjes së Gërxhaliut, që ndodheshin në kolonë, ishin vrarë atë natë, megjithëse dëshmia nuk e mundëson që ata të identifikohen ndaras. Traktorët e të dëbuarve u hodhën në rrëke ose u dogjën prej anëtarëve të forcave serbe.

24. Më vonë atë natë, rreth orës nëntë të darkës, tre burra të forcave serbe me uniforma dhe maska, që kishin me vete edhe armë automatike, arritën nga drejtimi i Studimes së Epërme dhe shkuan në një tjetër pjesë të kolonës së njëjtë. Ata i urdhëruan të dëbuarit të shkonin në drejtim të Studimes së Poshtme. Derisa kolona po vazhdonte rrugën, pjesëtarët e forcave serbe ndezën një dritë të fortë në drejtim të një burri në kolonë. Gjuajtje automatikësh menjëherë u dëgjuan dhe u pa se trupi i një buri të vrarë ra në tokë. Burrat që kishin qëlluar burrin po qëndronin pranë trupit të vdekur. Burri i vrarë nuk ishte i armatosur.

25. Pas orës nëntë të darkës, kolona arriti në një rrugë të degëzuar. Njëra prej rrugëve shpinte në drejtim të Vushtrrisë, tjetra në atë të Studimes së Poshtme. Forcat serbe i drejtuan të dëbuarit të shkonin drejt Vushtrrisë. Njëherësh, granatat ranë rreth 50 metra larg kolonës dhe në fakt e ndanë kolonën në dysh. Derisa pjesa më e madhe e kolonës qëndroi në Studime të Poshtme, një pjesë më e vogël me rreth një mijë persona ishin urdhëruar prej forcave serbe të shkonin drejt Vushtrrisë. Kjo pjesë e kolonës mbërriti në Kooperativën Bujqësore në Vushtrri rreth orës dhjetë të natës.

26. Më vonë, atë natë, krismat e armëve u dëgjuan në kolonë. Forca të kombinuara serbe, që po vinin prej makinerisë serbe të maskuara me degë, rrethuan kolonën. Disa pjesëtarë të forcave serbe kishin uniforma të kaltra kamuflazhi, të tjerat uniforma të zeza dhe hisja e tretë e tyre kishte uniforma të gjelbra kamuflazhi.

Vrasja e civilëve në kolonën e të dëbuarve

Më vonë, në të njëjtën ditë, ishte parë prej kolonës se fshati Studime e Epërme po digjej flakë. Rreth orës dy të mëngjesit të 3 majit 1999, forcat serbe vranë rreth 105 persona që po udhëtonin në një kolonë në rrugën e Grykës së Studimes, në pjesën kryesore të kolonës, që ende po përcillej prej forcave serbe. Kësaj kolone i ishte shtuar edhe një pjesë që kishte arritur nga Kooperativa Bujqësore në Vushtrri

27. Njerëzit në kolonë ishin urdhëruar të pastronin rrugën dhe të lejonin njësitet policore dhe ushtarake të kalonin. Menjëherë, policët serbë qëlluan në ajër. Ata mallkuan dhe bërtitën me fyerje në gjuhën serbe kundër njerëzve në kolonë. Kontrolluan dokumentin identifikues të një burri me emrin Ismet dhe e akuzuan se ishte luftëtar i UÇK-së. Ka dëshmi që tregojnë se Ismeti ishte ushtar i UÇK-së në të kaluarën, por jo në kohën kur ishte në kolonë. Nuk ishte i armatosur. Ismeti ishte rrahur me grushte dhe ishte kërcënuar se do ta vrisnin derisa nuk të jepte para. Policëve u ishin dhënë para pas lirimit të Ismetit.

28. Një anëtar i forcave serbe që po mbante një jelek antiplumb mbi uniformën e kaltër kamuflazhi, sipas gjetjeve të Gjykatës, që ishte polic, e shtyri vëllanë e Ferdije Xhafës, Jetishin, nga traktori dhe e rrahën me një shkop të trashë druri. Polici pastaj e kërcënoi me vrasje Jetish Xhafën nëse nuk i jepte para. Një grua ia kishte dhënë policit floririn e saj dhe e liruan Jetishin.

29. Menjëherë pas këtij incidenti, rreth orës njëmbëdhjetë e gjysmë, një tjetër grup i burrave mbërriti te traktori i Jetish Xhafës. Burrat kishin uniforma të kaltra kamuflazhi dhe dy prej tyre kishin dorëza të zeza, maska të zeza me vrima në sy dhe gojë me uniforma të kaltra kamuflazhi. Uniformat konfirmojnë gjetjet e Gjykatës se ata ishin policë. Njëri prej policëve drejtoi mitralozin në drejtim të nënës së Ferdije Xhafës. Njëherësh, Jetishi ishte tërhequr zvarrë afër një rruge në drejtim të Studimes së Poshtme. Një polic ia vendosi tytën e pushkës në kokë Jetishit. U dëgjua një krismë e vetme dhe Jetishi ra përtokë.

Policët pastaj tërhoqën zvarrë babanë e Ferdijes deri te vendi ku kishte rënë Jetishi. Ajo dëgjoi të shtëna. Një sekondë pas krismave, dëgjoi babanë e saj, Miran Xhafa (71 vjeç), duke bërtitur prej plagëve. Ajo dëgjoi krismën e tretë dhe pa se babai po binte përtokë. Nuk kaloi shumë kohë para se të dëgjonte edhe një të shtënë. Derisa pas luftës nuk e kishte kuptuar se Jetishi kishte mbijetuar dhe se vetëm babai i saj ishte vrarë. Asnjëri prej tyre nuk ishte i armatosur.

30. Gjatë kohës së këtyre zhvillimeve, familja e Ferdije Xhafës, ende në kolonë, ishte urdhëruar prej forcave serbe që të nisnin të lëviznin. Kolona përsëri ishte në rrugë. Nuk kishte mbetur asnjë njeri që mund ta drejtonte traktorin. Lavdimi, që ishte trembëdhjetë vjeç dhe që nuk dinte si ta voziste, ishte munduar ta lëvizte traktorin, por ishte rrahur me kondak të pushkës prej një polici në momentin kur nuk ia doli ta niste traktorin. Pas pak, Lavdimi ia doli ta niste traktorin dhe e voziti rreth njëqind metra, por pastaj e ndali anash rrugës. Familja u fsheh prapa traktorit dhe pastaj dërgoi njërin prej anëtarëve të saj, Ismetin, në Samadraxhë që t’u thoshte forcave të UÇK-së se çfarë kishte ndodhur me kolonën.

Forca të tjera serbe me uniforma të kaltra kamuflazhi u kthyen te traktori dhe urdhëruan familjen të lëvizte me pjesën tjetër të kolonës. Familja e la traktorin, meqë nuk kishte shofer dhe vazhdoi rrugën në këmbë. Derisa kalonte po vazhdonte rrugëtimin, policia urdhëroi njerëzit në kolonë që të bërtisnin “UÇK”, “Slobo” dhe “Drazha”. Rrugës, një dëshmitar kishte parë me sytë e tij shtatë ose tetë trupa të pajetë. Në mesin e tyre ai njohu trupin e kushëririt Veli Xhafa, që ishte shtrirë i vdekur në traktorin e tij. Dëshmitari kishte parë edhe njerëz të plagosur, përfshirë edhe gra e fëmijë rrugës së kolonës. Njëri prej tyre, djalosh, ishte qëlluar prej një polici.

31. Shukri Gërxhaliu, që ishte në një pjesë tjetër të kolonës, pa dhjetë makina që po bartnin ushtarë dhe policë, që po vinin nga drejtimi i Vushtrrisë, e që po përshkonin rrugën nga Studimja e Poshtme drejt Studimes së Epërme. Kishte makina të ushtrisë dhe tri makina të policisë së rregullt. Njëri prej atyre që ishin në to, një ushtar i ushtrisë jugosllave, ishte dëgjuar duke thënë se gjithçka ishte “pastruar”.

Makinat me policë e ushtarë vazhduan rrugën dhe kolona rifilloi rrugëtimin. Trupa të pajetë shiheshin anash rrugës derisa kolona po vazhdonte. Njëri prej dëshmitarëve u largua nga kolona dhe u kthye në Studime të Epërme. Ai aty pa ushtarë të UÇK-së që po varrosnin të vrarët. Shumica prej tyre ishin vrarë nga afërsia. Shumica e viktimave ishin burra, por kishte edhe disa gra e fëmijë. Një ushtar i UÇK-së ia tregoi dëshmitarit një listë të 97 personave të vrarë dhe e pyeti nëse i njihte. Emri i dëshmitarit ishte shkruar gabimisht në listë dhe ishte shlyer.

32. Mbrojtja ka sfiduar kredibilitetin e Shukri Gërxhaliut, duke theksuar se në dëshminë e mëhershme para Tribunalit, nuk kishte përmendur praninë e policëve në makina që erdhën nga Vushtrria. Dhoma e Gjykatës kujton se Gërxhaliu kishte dhënë dëshmi shtesë duke shtuar edhe atë pjesë, duke konfirmuar se ushtarët dhe policët ishin në makina policore dhe ushtarake dhe se erdhën nga drejtimi i qytetit të Vushtrrisë.

Gjykata nuk konsideron se kjo shtesë e minon besueshmërinë e Gërxhaliut. Megjithëse Gërxhaliu ishte pjesëtar i UÇK-së në kohën e ngjarjes së dyshuar në aktakuzë, dëshmia e tij konsiderohet e vlefshme. Dhoma e gjykatës është impresionuar me dëshmitarin dhe konsideron se ka dhënë dëshmi të fortë dhe të besueshme për ngjarjet në këtë komunë.

33. Më vonë, në të njëjtën ditë, ishte parë prej kolonës se fshati Studime e Epërme po digjej flakë. Rreth orës dy të mëngjesit të 3 majit 1999, forcat serbe vranë rreth 105 persona që po udhëtonin në një kolonë në rrugën e Grykës së Studimes, në pjesën kryesore të kolonës, që ende po përcillej prej forcave serbe. Kësaj kolone i ishte shtuar edhe një pjesë që kishte arritur nga Kooperativa Bujqësore në Vushtrri.

34. Po ashtu në aktakuzë theksohet se gjatë natës së dy dhe tre majit 1999, forcat serbe vranë rreth 105 persona që po udhëtonin në kolonën në rrugën e Grykës së Studimes në drejtim të Vushtrrisë. Këtu kemi listën me emrat e 104 viktimave.

35. Siç u diskutua edhe më lart, dëshmia e dëshmitarit okular dëshmon se katër viktimat e listuara në aktakuzë, Hysni Bunjaku, Haki Gërxhaliu, Miran Xhafa dhe Veli Xhafa, ishin vrarë prej forcave serbe në natën e dy dhe tre majit 1999 rrugës së tyre drejt qytetit të Vushtrrisë. Dëshmia për vrasjen e Haki Gërxhaliut, Miran Xhafës dhe Veli Xhafës mbështetet edhe prej gjetjeve të ekspertëve francezë të forenzikës, që më vonë kishin ekshumuar dhe ekzaminuar trupat.

Raportet e forenzikës vënë në pah se ata ishin vrarë dhunshëm, prej plagëve të plumbave në kokë. Trupi i Hysni Bunjakut asnjëherë nuk është gjetur prej grupit të forenzikës. Sidoqoftë, bazuar në dëshminë e dëshmitarit okular, Dhoma është e bindur se ai është qëlluar dhe vrarë në kolonë prej forcave serbe në natën e dy dhe tre majit 1999. Bazuar në dëshminë e dëshmitarit, Dhoma beson se gjatë kohës së vrasjes, viktimat po udhëtonin në kolonë me persona të dëbuar dhe se ata ishin nën rrethim të forcave serbe. Viktimat nuk kishin marrë pjesë aktivisht në armiqësi. Dhoma është e kënaqur që ka vërtetuar se viktimat ishin shqiptarë të Kosovës.

36. Në lidhje me burrat e mbetur të listuar në pjesën e parë të aktakuzës, nuk është ofruar asnjë dëshmi për rrethanat e vdekjes së tyre. Prokuroria kërkon të mbështetet në dëshminë e Sabit Kadriut, kryetar i Komisionit për Krime të Luftës në Vushtrri. Është dëshmia e tij bazuar në intervista të kryera me familjarët e viktimave dhe dëshmitarët okularë, në bazë të të cilave ai ka nxjerrë një listë me emrat e 104 viktimave që besohet se janë vrarë në natën e 2 dhe 3 majit 1999 në lokacione të ndryshme në Komunën e Vushtrrisë.

Lista e Kadriut është e njëjtë me atë të ofruar më parë në aktakuzë. Është po dëshmia e Sabit Kadriut që tregon se trupat e pajetë të këtyre 104 personave ishin gjetur më 3 maj 1999 dhe ishin varrosur në varreza në Studime të Epërme.

37. Duke pasur në konsideratë se atëherë kishte luftime të vazhdueshme ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe në Komunën e Vushtrrisë, Dhoma nuk mund ta përjashtojë mundësinë se disa prej këtyre burrave të varrosur në varrezat e Studimes së Epërme, mund të jenë vrarë gjatë pjesëmarrjes në luftime dhe se vdekja e tyre mund të mos jetë shkaktuar prej forcave serbe. Dhoma shpreh keqardhjen se personat e mbetur të listuar në listën e Sabit Kadriut u vranë në mënyrën e përshkruar më lart.