Arbëri

Viktima e abuzimit seksual ka marrë trajtimin e duhur institucional, thotë komuna e Drenasit

Foto: tes

Komuna e Drenasit ka reaguar pas deklarimeve të Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari, se viktima e abuzimit seksual në Drenas nuk kishte marrë trajtimin e duhur institucional në ditët e para pas nisjes së raportimeve.

Në një njoftim për media, kjo komunë ka thënë se menjëherë pas paraqitjes së rastit në media, përmes institucioneve, Qendrës për Punë Sociale dhe Psikologut Komunal, është marrë me rastin dhe e ka trajtuar atë sipas detyrave zyrtare.

Avokati i Popullit: Askush s’u kujdes për viktimën e abuzimit seksual në Drenas

“Me datën 07.02.2019, menaxheri i rastit, së bashku me ndihmësin, kanë vizituar familjen e viktimës dhe kanë kontaktuar me prindin dhe vëllanë e viktimës, njëherësh prindi i saj është deklaruar se viktima është duke u trajtuar në Prishtinë si dhe rasti gjendet në Policinë e Kosovës. Me 08.02.2019 i njëjti shërbim ka vizituar familjen e viktimës dhe ka trajtuar rastin, pastaj ka shkuar në shkollën ku ka vijuar mësimin viktima dhe se bashku më menaxheret e shkollës janë marr masat e duhura ligjore për trajtimin e viktimës. Pikërisht me këtë datë, rreth orës 11 përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë vizituar Zyrat e QPS-së dhe janë njoftuar për të gjitha rastet, si në rastin e parë ashtu edhe ne rastin e dytë dhe të gjitha aktivitetet që i kanë ndërmarr organet gjegjëse të QPS-së dhe i kanë dhënë me vete zyrtarëve përgjegjës të Avokatit të Popullit. QPS-ja ka kërkuar ndihmë nga psikologu komunal për trajtim psiko-social me datën 08.02.2019 me shkresë zyrtare. Me datën 12.02.2019 QPS-ja ka vizituar sërish familjen dhe ka biseduar me mbrojtësin e viktimës rreth aktiviteteve dhe bashkëpunimit për t’i ndërmarr për mbrojtjen e viktimës. Me datën 13.02.2019 QPS-ja ka takuar mbrojtësin e viktimës dhe prokurorin e rastit, ku së bashku jemi dakorduar që viktima të merr ndihmën emergjente si në aspektin mjekësor, ashtu edhe në aspektin psiko-social. Kërkesa e mbrojtësit të viktimës ishte që trajtimi psiko-social të behët nga një psikologe femër, jo e Komunës së Drenasit, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe që është nën hetime”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

QPS-ja në Drenas, sipas njoftimit, ka informuar psikologun komunal për detyrat që janë marr si dhe për punën psiko-sociale që i është caktuar një psikologe jashtë territorit të Komunës së Drenasit.

“Me datën 14.02.2019, QPS-ja në Drenas ka informuar zyrtarisht me rastin, Institucionin e Avokatit të Popullit ku këtë shkresë zyrtare e ka pranuar zyrtarja e këtij institucioni. Po ashtu familja e viktimës është ndihmuar edhe me gjëra ushqimore e higjienike nga QPS-ja”, thuhet më tej aty.

Në fund, Komuna e Drenasit ka kërkuar nga Avokati i Popullit “që mos të qes në huti qytetarët, pasi që Komuna me institucionet gjegjëse, me kohë e ka trajtuar rastin dhe për të gjitha procedurat zyrtare e ka mbajtur të informuar edhe Institucionin e Avokatit të Popullit”.