Arbëri

Vetëvendosje thotë se po rritet në Gjermani

Kumtesa nga Vetëvendosje njofton se dje në Gjermani u takua në mbledhjen e parë të saj konstituive, në kuadër të zgjedhjeve të brendshme, transmeton Koha.net.

Në rendin e ditës ishte publikimi i rezultatit të zgjedhjes së kryetarit dhe zgjedhja e Kryesisë së Lëvizjes në këtë qendër. Nga Kosova ishte deputetja Aida Dërguti, e cila iu drejtua me disa fjalë të pranishmëve. Ajo veçoi rëndësinë e angazhimit të mërgatës për zhvillimin e shtetit të Kosovës, qoftë në forcimin e vetëdijësimit për temat socio-politike që mbizotërojnë, por edhe për pjesëmarrjen në zgjedhje.

Pas kësaj u prezantua rezultati i zgjedhjes së Salih Abazit me shumicë votash si Kryetar i Qendrës së Vetëvendosjes në Gjermani. Salih Abazi ka studiuar histori dhe gjeografi, dhe tani është drejtues i sukseseshëm në fushën e gastronomisë.

Në fjalimin e tij inaugurues, Salih Abazi paraqiti qëllimet dhe prioritetet e tij gjatë mandatit të ardhshëm. Ai tha se Vetëvendosje në Gjermani duhet të vazhdoi zgjerimin e saj me ritëm edhe më të lartë dhe theksoi se Lëvizja do të përqendrohet në stimulimin e mërgatës shqiptare që ajo të përdorë të drejtën e saj të votës si në Gjermani, po ashtu edhe në Kosovë, si dhe për zhvillimin e bashkëpunimit me partitë gjermane, e në veçanti me Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD).

Këshilli i Qendrës zgjodhi edhe kryesinë e re.

Bersant Deva u zgjodh nënkryetar i parë, Sabile Aliu-Sahiti nënkryetare e dytë, Fëllanza Podrimja u zgjodh Sekretare Organizative dhe Safet Islami koordinator i nënkomiteteve. Bekim Barileva do t'i drejtojë mbledhjet e Këshillit të Qendrës, kurse zëvendësi i tij u zgjodh Besart Simnica. Anëtarë të tjerë të Kryesisë u votuan Hazir Sopi, Bajram Rudari dhe Osman Maliqi. Dhe në fund, delegatë për Këshillin e Përgjithshëm u zgjodhën Kujtim Robelli, Sabile Aliu-Sahiti dhe Bajram Rudari.

Zgjedhja e strukturave të reja të Vetëvendosjes në Gjermani vjen pas rritjes së vazhdueshme.

Sipas kumtesës, anëtarësimet e shumta që kanë ndodhur dhe vazhdojnë ende, dëshmojnë që mërgata shqiptare është e vendosur për ndryshim.