Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të zbatojë rezolutën e miratuar në Kuvend të Kosovës,e cila parasheh tejkalimin e krizës financiare me të cilën po ballafaqohet Posta dhe Telekomi i Kosovës.
Kreu i Vetëvendosjes duke folur rreth kësaj rezolute u shpreh se ajo parasheh që nga Bordi të largohen njerëzit aktual, me qëllim që të emërohen njerëz profesionist, si dhe Qeveria të tërhiqet nga marrëveshja “abuzive” siç e quan ai me kompaninë Z-Mobile.
Sipas tij Qeveria e Kosovës e ka shpërfillur këtë rezolutë, zbatimi i të cilës është i domosdoshëm për tejkalimin e krizës financiare të Postës dhe Telekomit të Kosovës.
“Me datë 27 korrik janë bërë 15 ditë prej se është miratuar kjo rezolutë në Kuvendin e Kosovës, deri më datë 27 korrik Qeveria ka pasur afat që të ngreh shtabin e menaxhimit të krizës në Telekomin dhe Postën e Kosovës me qëllim të ristrukturimit të thellë të veprimtarisë biznesore, të burimeve njerëzore, dhe të planit të investimeve. Sot e kësaj dite kjo Qeveria nuk e ka ndërmarr asnjë hap, prandaj jemi sot para jush në mbrojtje të vendimit të Kuvendit i cili është shpërfillur nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Kurti, transmeton kp.
E njohësi i çështjeve të telekomunikacionit në Lëvizjen Vetëvendosje, Selam Lepaja u shpreh se emërimi i Gent Begollit në krye të Telekomit të Kosovës tregon se Qeveria nuk është e interesuar të tejkalojë krizën që e ka kapluar këtë ndërmarrje.
Ai ka kërkuar që Qeveria ta zbatojë pikën 4 të rezolutës së votuar në Kuvend e cila sipas tij do i hapë rrugë zgjidhjes së marrëveshjes abuzive me kompaninë Dardafon.
Edhe
Vetëvendosje ka dy kërkesa për Telekomin e një për ARKEP-in pas mosvazhdimit të kontratës me Z-Mobile
“Ne kërkojmë që rezoluta të zbatohet sa më parë në veçanti të zbatohet pika katër në të cilën thuhet: të tërheqë anëtarët aktual të bordit të emëruar pa bazë profesionale dhe të propozoj anëtar me integritet të lartë dhe profesionist me përvojë të gjatë në fushën e telekomunikacionit, të financave dhe të administrimit të ndërmarrjeve. Kjo do i hap rrugë zgjidhjes së marrëveshjes abuzive me kompaninë Dardafon.net LLC, përkatësisht me Z Mobile, si dhe rishqyrtimet të të gjitha kontratave të tjera të dëmshme dhe atyre fiktive në kompanitë tjera.”, ka deklaruar Lepaja.
Përmes kësaj konference Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje Prokurorisë së shtetit që të hetojë kontratën joligjore në mes të Telekomit dhe Dardafonit, sipas të cilëve kjo kontratë është shkaktarja kryesore e kësaj krize në këtë ndërmarrje.