Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar tryezën, “Mosndëshkimi i krimeve të luftës - Pasojat për popullsinë dhe shtetndërtimin”, ku u kërkua që institucionet e Kosovës të angazhohen maksimalisht në evidentimin dhe ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit.
Ndërsa u tha se krimet e kryera nga ana e Serbisë në Kosovë, janë krime të planifikuara shtetërore.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se shumica e bartësve të krimeve në Kosovë janë civilë. Ai theksoi se Serbia deri më tash ka dënuar 160 persona për krimet e kryera në luftëra, që sipas tij, është shumë pak, pasi që kjo e fundit ka shkaktuar 160 mijë viktima.
“Shteti nuk ka marrë asgjë për të adresuar krimet luftës. Shumë prej bartësve të dëmit kanë nevoja të dëgjohen. Bartësit e dëmit duhet të jenë në qendër të vëmendjes. Kur një shtet ka arritur deri këtu e nuk ka adresuar asnjë krim, atëherë është rrezik. Duhet urgjentisht të bëhet dokumentimi i dëmeve të luftës sikurse që është regjistrimi i popullsisë”, tha Kurti, raporton KsP.
Ai tha se Serbia duhet të kompensojë dëmet e shkaktuara në Kosovë.
Edhe
27 vjet pas luftës prezantohet lista preliminare e viktimave
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se krimet më të mëdha gjatë dy dekadave ndodhën gjatë luftës së viteve 98-99.
“Krimet e luftës së Serbisë kundër shqiptarëve nuk janë krime individuale, krimet e Serbisë karshi shqiptarëve kanë pasur karakter shtetëror. Ato nuk janë qenë pasojë e një shpërthimi spontan, por ka qenë ekzekutim i një plani qendror, i cili e ka pasur për qëllim shfarosjen e një populli”, tha Konjufca.
Sipas tij, politika në Kosovë gjithmonë i ka lënë anash krimet që janë bërë nga Serbia, që përbënë një ndër krimet më të mëdha që i janë bërë Kosovës.
“Nga qershori i vitit 98 deri më tash në Kosovë janë dënuar më shumë shqiptarë se sa serbë. Nga kjo pasqyrë i bie se Kosova e ka sulmuar Serbinë, dhe ka shkaktuar masakra në Serbi. Pra rezultati i drejtësisë tek ne është që e ka kthyer mbrapsht të vërtetën. Mendoj se arsyeja kryesore e kësaj ka të bëjë më politikën... Shteti i Kosovës nuk ka bërë padi për krimet e luftës. Nëse mendoni me arrit marrëveshje me Serbinë duke u bërë presidenti ynë shok me Vuçiqin, harrojeni se është e qëndrueshme”, u shpreh ai.
Edhe
Kurti: Krimet e Serbisë nuk harrohen, po sigurohemi që asnjë brez të mos e përjetojë më terrorin
Deputetja Saranda Bogujevci, tha se pa i kryer detyrat si institucione, është e vështirë të ecësh me detyra karshi padive ndaj Serbisë.
Sipas saj, edhe pse kanë kaluar tashmë 19 vite, institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim. “Institucionet tona shpeshherë mbajnë qëndrim të njëjtë me institucionet e Serbisë. Mendoj që përveç punës që është bërë nga organizata për krime të luftës, janë institucionet e Kosovës ato që duhet të mbledhin dëshmitë. Pyetje tjetër që kam pasur është pse nuk kemi Gjykatë për krime të luftës në Kosovë. Pse duhet EULEX-i të ketë udhëheqësinë. A ka nga institucionet ndërkombëtare mosbesim që institucionet vendore nuk mund të kryejnë punët. Nuk ka mekanizëm shtetëror që i mbron dëshmitarët”, u shpreh ajo.