Ushtruesi i detyrës së kryetarit të veteranëve të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur të shtunën se veteranët do të protestojë të hënën në Prishtinë, për të kundërshtuar Projektligjin për ndryshimin e ligjit për pagën minimale, i cili pritet të hidhet në votim në seancën e së hënëns të Kuvendit të Kosovës.
Klinaku ka thënë gjatë një konference për media se protesta do të mbahet duke filluar nga ora 10:00.
“Për shkak të këtyre gjërave që jemi të diskriminuar, do të dalim të protestojmë të hënën prej orës 10:00 për ta kundërshtuar ndryshimin qe pretendon ta bëjë Kuvendi i Kosovës me këtë ligj”, ka deklaruar Klinaku.
Ai ka shtuar se për çdo ndryshim të ligjit për pagën minimale qeveria do të duhej të konsultohej me veteranët, duke shtuar se qeveria Kurti nuk po bashkëpunon me ta.
“Kjo qeveri nuk ka bashkëpunuar asnjëherë me këto kategori të dala në lufta, edhe pse një takim e gjysmë e kemi pasur sepse takimin e dytë e kemi lënë në gjysmë dhe nuk jemi ftuar më. Çdo ndryshim ligji që pretendon ta bëjë pushteti do të duhej të konsultohej me kategoritë e dala nga lufta pasi janë kategori ligjore. Ligji i vetëm në fuqi sa i përket veteranëve është ai lidhur me pagën minimale”, ka thënë Klinaku.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, është hedhur në votim muajin e kaluar por ka dështuar të votohet për shkak të mungesës së kuorumit.
Deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar projektligjin në formën e prezantuar në seancën e 13 majit pasi konsiderojnë se po diskrimohen veteranët e UÇK-së duke mos u përfshirë në këtë rritje, pasi pensioni i tyre aktual është aq sa është paga minimale.