Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka thënë se Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Kosovës.
Këtë kryekuvendari Veseli e tha gjatë konferencës së mbajtur ku komentoi takimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në Serbi, ku u takua me presidentin Aleksandar Vuçiq, transmeton Koha.net.
“Ne jemi me Amerikën, fqinji jonë po pretendon me qenë mirë me partnerët tanë por po i hapë dyert Rusisë. Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Kosovës. Kosova do të jetë në organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe po punojmë shumë. Opozita duhet t'iu bashkëngjitet proceseve”, tha Veseli.
Veseli kur u pyet nëse SHBA-ja ka kërkuar nga Qeveria heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, tha se nuk ekziston një kërkesë e tillë, porse, sipas tij, kanë kërkuar që t’i jepet një mundësi dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë bisedimeve në Beograd paraqiti qëndrimin e Moskës për Kosovën.
“Ky qëndrim është i qartë, konsistent dhe i bazuar në kornizat e të drejtës ndërkombëtare përfshirë edhe ato që gjenden në Rezolutën e KS të OKB-së 1244”, kishte thënë ai, transmeton Koha.net.
Edhe
Veseli: S’mbrohet Kosova duke injoruar Amerikën
Ndihmësi i Putinit, Jurij Ushakov, pak ditë më parë ka theksuar se Rusia do të përkrahte me kënaqësi zgjidhjen e pranueshme tek e cila do të arrinin Serbia e Kosova, porse ka shtuar, Rusia beson se çfarëdo zgjidhjeje duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe e konfirmuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Kjo (zgjidhje) duhet vërtetë të zbatohet”, ka thënë ndër të tjera Ushakov.