Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli merr mbështetje në SHBA për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur të hënën paradite në Washington në takim nga kongresmeni Gerald E. Connolly, kryesues i delegacionit amerikan në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan.

Në këtë takim, Veseli e njoftoi kongresmenin me zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, ndërsa kanë diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Në 20 vjet liri që nga çlirimi, ai tha se Kosova ka arritur progres në të gjitha fushat falë bashkëpunimit të ngushtë me aleatët e përhershëm, SHBA-të dhe vendet mike perëndimore.

“Pas transformimit të FSK-së në ushtri, objektiv kryesor i Kosovës në fushën e sigurisë është anëtarësimi i plotë në Aleancën Veriatlantike, NATO”, tha Veseli.

Nga ana e tij, kongresmeni amerikan shprehu mbështetjen e SHBA-së për hapat e mëtejmë të rrugës euro atlantike të Kosovës.

“Kosova në të ardhmen e afërt duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe BE dhe në këtë rrugëtim do ta keni mbështetjen e SHBA-së”, tha kongresmeni Gerald E. Connolly.

Edhe Veseli thotë se ka marrë përkrahje në SHBA për fazën finale të dialogut me Serbinë Arbëri Veseli thotë se ka marrë përkrahje në SHBA për fazën finale të dialogut me Serbinë

Gjatë këtij takimi, Veseli e informoi kongresmenin Gerald E. Connolly edhe për nismën e tij për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb të kryer në Kosovë, ide kjo e cila u mbështet nga kongresmeni amerikan.

“Të gjithë kriminelët e luftës duhet të përgjigjen para drejtësisë për krimet që kanë kryer ndaj civilëve të pafajshëm. Duhet të vijë drejtësia në vend për viktimat e luftës”, tha kongresmeni Gerald E. Connolly.​