Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli: S’lejojmë askënd të na mësojë si të jetojmë e të na ndërrojë mënyrën e sjelljes sonë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në tryezën për ekstremizmin e dhunshëm dhe kthimin e luftëtarëve të huaj që po mbahet në Tiranë, në kuadër të Lutjeve të Mëngjesit, ka thënë se Kosova shquhet për masa preventive të pjesëmarrjes së të rinjve nëpër veprimtari terroriste dhe luftëra të huaja.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, në cilësi të panelistit, Veseli përmendi një varg masash konkrete që ka ndërmarrë Kosova në trajtimin ligjor të rasteve të dyshimta. Në këtë kuadër, Veseli përmendi miratimin nga Kuvendi të Ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit dhe atij për parandalimin e financimit të organizatave terroriste.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Duke u kthyer në gjenezën e këtij problemi në Kosovë, kryetari i Kuvendit të Kosovës kujtoi tendencat e organizatave të ndryshme për indoktrinimin e të rinjve menjëherë pas luftës. Kreu i Kuvendit tha se “kjo situatë është menaxhuar suksesshëm, në koordinim të ngushtë me partnerët perëndimorë, posaçërisht atyre amerikanë, deri në shpërthimin e konfliktit në Siri”.

Veseli bëri të ditur se Kosova aktualisht është duke punuar në një program institucional shumë dimensional që ka për qëllim deradikalizimin e personave që kanë marrë pjesë në konfliktet e fundit në Lindjen e Mesme.

Në këtë përpjekje, Veseli tha se aleati kryesor është rinia.

“Institucionet po punojnë që të trajtohen dhe të mos kenë vazhdimësi të veprimtarisë që kanë pasur më herët. Aleati më i madh i institucioneve tona në këtë drejtim janë vetë të rinjtë e Kosovës dhe besimi tyre në vizionin evro-atlantik”, theksoi Veseli.

Ai po ashtu përmendi edhe raste konkrete të trajtimit ligjor dhe dënimeve gjyqësore që janë dhënë ndaj elementëve të tillë.

“Jemi të zotuar se do të jemi të pakompromis në këtë drejtim. Nuk do të lejojmë askënd të vijë dhe të na mësojë mënyrën e jetesës tonë dhe të na ndërrojë mënyrën e sjelljes sonë”, theksoi kryeparlamentari Veseli, duke kërkuar njëkohësisht nga Bashkimi Evropian që të ndërmarrë veprime inkurajuese për qytetarët e vendit. ​