Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli paralajmëron të korruptuarit se do t’u konfiskohet pasuria e paligjshme

Foto: Kadri Veseli / Facebook

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka vizituar sot Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, e cila administron asetet e konfiskuara në vlerë prej rreth 40 milionë euro.

Aty, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se lufta kundër korrupsionit do të intensifikohet, dhe pasuria e paligjshme e fituar përmes korrupsionit dhe abuzimeve do t’u sekuestrohet dhe konfiskohet të gjithë të korruptuarve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas vizitës që bëri, lideri i PDK-së tha se ligji është më i fuqishëm se çdo individ, andaj duhet t’i përmbahen të gjithë.

“Kështu dhe këtu kanë me përfunduar të gjithë ata që mendojnë me prek mbi pasurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ky është mesazhi të cilin do ta jepja. Më i fuqishëm se çdo individ në Kosovë, sado i fuqishëm, është ligji. Ligjit duhet t’u përmbahen të gjithë. Lufta kundër korrupsionit do të jetë e pakompromis. E di që është e vështirë, ka vështirësi, presim përkrahje prej qytetarëve dhe do të shkojmë deri në fund. E përgëzoj ministrin, besoj tek të rinjtë që e luftojnë korrupsionin. Ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Ka dy vite që jemi në fazën e krijimit të legjislacionit, përfshirë edhe kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë. Do të shkojmë një për një. Kush ka fituar djersën e të tjerëve, do t’ua marrim, e ata të cilët jetojnë me djersën e vet kanë me u pasurua më shumë dhe kanë me pas perspektivë”, tha ai.

Veseli tha se pasuria e konfiskuar prej të korruptuarve do t’i kthehet shoqërisë dhe ato miliona euro do të investohen në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë, që të ardhmen e tyre do ta ndërtojnë në Kosovë.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se vetëm gjatë këtij viti janë rreth 64 raste të konfiskimit, përfshirë vetura, prona të paluajtshme e para të gatshme.

“Me miratimin e ligjit të ri në vitin 2018, ligji për kompetenca të zgjeruara të konfiskim pasurisë, gjë për të cilën e falënderoj kryetarin e Parlamentit, që ka qenë përkushtim personal i tij dhe angazhim personal i tij në rritjen dhe fuqizimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe rrjedhimisht pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, tashmë është rritur numri i aseteve të cilat janë të konfiskuara. Aktualisht, vetëm gjatë vitit 2019 i kemi diku rreth 64 raste të cilat janë të konfiskuara, pra përfshirë vetura, prona të paluajtshme, para të gatshme. Tashmë janë duke u parë edhe efektet në teren të implementimit të ligjit të kompetencave të zgjeruara për konfiskimin e pasurisë. Pra, ka qenë përkushtim personal i zotit Veseli, i kryetarit të Parlamentit të Kosovës, edhe implementimi i këtij ligji që është mjaft i rëndësishëm në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. E vetmja m ënyrë që të dobësojmë fuqinë e grupeve kriminale, që t’i shkatërrojmë grupet kriminale, nuk është thjeshtë ndalimi i tyre dhe burgosja e tyre, ato shkatërrohen atëherë kur arrijmë me i konfiskua asetet të cilat i kanë fituar me veprimtari kriminale”, tha ai.