Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë fjalimit të tij në seancën solemne për 9 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se me aleatët u krijua shteti i Kosovës, me ta do të krijojë edhe ushtrinë e saj.
“Ushtria është elementi më bazik i një shteti. Siç e kemi bërë shtetin me aleatë, me aleatë do ta bëjmë edhe ushtrinë. Ne kemi shumë për të bërë. Është koha për qasje të re mes nesh. Të kemi më shumë afërsi e besim tek njëri-tjetri. Të punojmë me një agjendë të përbashkët”, ka thënë Veseli.
“17 shkurti është data që ndan epokat e i jep kuptim të kaluarës tonë dhe të ardhmes. Në këtë ditë feste e gëzimi shprehim nderimin e mirënjohjen në krye me SHBA e BE-në. Kemi qenë, jemi e do të mbetemi shtet evropian perëndimor. Ky është identiteti ynë. Në këtë ditë feste ne përfaqësuesit e popullit duhet të bëjmë bilancin e punëve tona. A po bëjmë atë që po presin qytetarët? Ne jemi për tu dhënë përgjigje e zgjidhje. Nuk ka vlerë më të madhe sesa të shërbesh atdheut. Për 9 vjet ka arritje të mëdha. 113 shtete e njohën sovranitetin tonë e kjo nuk është pak. Njohjet e shtetit tonë do të vazhdojnë për aq sa do të jetë i sigurt edhe integrimi ynë në BE”, ka shtuar ai.