Arbëri

Veseli: Lojërat e fatit do të mbyllen përfundimisht – BE-ja po e dëmton kredibilitetin e vet me mos-liberalizim

Foto: Kuvendi i Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se lojërat e fatit në territorin e Kosovës do të mbyllen përfundimisht.

Në një adresim para mediave, Veseli tha se do të ketë seancë të jashtëzakonshme edhe për situatën e krijuar mes SBASHK-ut dhe MASHT-it për orët e humbura gjatë kohës së grevës.

“Lojërat e fatit do të mbyllen përfundimisht dhe sot e kemi pikë të rendit të ditës, është seancë të jashtëzakonshme. Po ashtu seancë e jashtëzakonshme për situatën mes SBASHK-ut dhe MASHT-it për orët e humbura. Me datën 11 prill do të kemi seancë që do të jetë për pikët e papërfunduara të hapura nga seancat e kaluara. Seancë të rregullt do të kemi ditën e premte”, ka thënë Veseli, raporton KTV.

Tutje, ai foli edhe për liberalizimin e vizave, për ç’gjë ka kritikuar BE-në.

“Çdo vonesë e cila është duke ndodhur nga ana e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tonë, e dëmton vet kredibilitetin e Bashkimit Evropian karshi edhe vet vendeve anëtare të BE-së. Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret të cilat janë dashur për të fituar të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë. Jemi vendi i vetëm, jemi qytetarët e vetëm që për 11 vite si qytetarët më pro evropian, më pro perëndimorë, jemi të izoluar”, tha Veseli.

Ai tha se është e padrejtë që në njërën anë qytetarët e Kosovës të mbahen të izoluar e në anën tjetër vendet e BE-së të lëshojnë viza pune për të rinjtë e kualifikuar, duke e cilësuar këtë si hile të BE-së.

“Në të njëjtën kohë çdo vit janë duke na marrë të rinjtë tanë dhe kjo është shqetësuese për arsye se me dhjetëra mijëra të rinj, kuadro të kualifikuara po i marrin, po i japin viza pune, e nuk po i lejojnë qytetarët tanë të lëvizin lirshëm. Edhe kjo e ka hilen e vet, për vet faktin se jemi të sigurt se me liberalizim të vizave njerëzit do ta shohin perspektivën e tyre në mënyrë më të ndryshme sesa nga kjo aktualisht siç po ndodhë”, deklaroi Veseli.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka deklaruar se debati në Kuvendin e Kosovës për orët e humbura në sistemin arsimor, ka për qëllim që SBASHK-u dhe MASHT-i të gjejnë një formë për kompensimin e tyre.

Ai këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku tha se nuk bëhet fjalë për orë të humbura, por për minus të njësive mësimore.

“Nuk janë vetëm orë të humbura, jemi të gjithë dakord se nuk janë orë të humbura në një fabrikë, por minus në njësi mësimore. Debati ka për qëllim që të dalim me rekomandime që sindikata dhe MASHT-i të gjejnë një formë për t’i kompensuar të gjitha këto”, tha Sherifi.