Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli: Italia mbështet liberalizimin e vizave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me deputetë të partive, një javë pas raportit pozitiv të Komisionit Evropian që rekomandoi heqjen e vizave, ka vazhduar lobimin për viza dhe këtë herë janë pritur nga presidentja e Senatit italian, Maria Elisabetta Alberti Casellati, për të diskutuar për mbështetjen politike të shtetit italian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti.

Gjatë këtij takimit në të cilin morën pjesë edhe Glauk Konjufca i Vetëvendosjes, Aida Dërguti e PSD-së, Ahmet Isufi i AAK-së, Sërxhan Mitroviq i Listës Serbe, Haxhi Shala i Nismës dhe Albert Kinolli i 6+ , të dy homologët diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që Roma dhe Prishtina zyrtare kanë ndërtuar midis tyre, ndërsa kërkoi mbështetjen e Senatit dhe shtetit italian në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Para këtij turneu në Itali, Veseli me ekipin e tij prej deputetëve të partive, disa ditë para se KE të rekomandonte heqjen e vizave, kishte qëndruar në Francë dhe Holandë për të lobuar për vizat.

Veseli në Romë ka thënë se institucionet e Kosovës kanë përmbushur të gjitha kriteret që atyre u janë vendosur në këtë proces, ndërsa përmbushja e gjitha kritereve është vlerësuar ditë më parë edhe nga Komisioni Evropian që rekomandoi heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidentja e Senatit të Italisë, Maria Elisabetta Alberti Casellati, theksoi se shteti i saj do të vazhdojë të përkrah Kosovën si në rrafshin e drejtpërdrejtë të marrëdhënieve ndërshtetërore, ashtu edhe në kuadrin e Bashkimit Evropian, sidomos në proceset aktuale që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave dhe proceset tjera integruese.

“Ne në Itali jemi në anën tuaj. Jemi të gëzuar se ka pasur hapa pozitiv në këtë drejtim. Do të përpiqemi të i influencojmë pozitivisht në vendet e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Ne vlerësojmë reformat në sistemin e drejtësisë që janë bërë deri më tani. Më vjen mirë që opozita flet me të njëjtën gjuhë si pozita për një interes kaq madhor si liberalizimi i vizave”, ka thënë Casellati.