Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, teksa ka folur edhe në emër të ish shefit të tij në parti, e tash president, Hashim Thaçi, ka thënë se Mitrovica për ta është e shenjtë.
E ka thënë këtë në një tubim partiak, kur ka hapur procesin e brendshëm zgjedhor në Mitrovicë e Vushtrri. I pari i PDK-së tha se sa më e fuqishme dhe më e madhe të jetë PDK-ja, aq më e fuqishme do të jetë Mitrovica dhe gjithë Kosova.
Ai tha se vendi po kalon nëpër sfida shumë të rëndësishme.
“Do të flas në mënyrë më të veçantë, për shkak të pozicionit gjeografik. Mund të dëgjoni në të majtë e në të djathtë, por të jeni të sigurt se Mitrovica është e shenjtë, aq sa është për secilin flamuri kombëtar. Është e shenjtë, aq sa është i shenjtë varri i Isa Boletinit. Është i shenjtë sovraniteti, integriteti i shtetit të pavarur dhe sovran, jo vetëm në Mitrovicë, por flamuri i Kosovës duhet të valëvitet edhe në Zveçan e në Leposaviq. Dua të them edhe diçka tjetër, sa është e shenjtë për ju, është e shenjtë edhe për mua, edhe për Hashim Thaçin”, tha Veseli.
Lideri i PDK-së ftoi të gjithë qytetarët e Mitrovicës që të bashkohem me PDK-në gjatë procesit zgjedhor partiak, për të punuar së bashku në zhvillimin e qytetit të Mitrovicës.
“Ka nevojë Kosova për një adresë të sigurt politike, e cila i krijon siguri, e cila i krijon zhvillim, emancipim. Për t’i arritur sukseset në sfidat e reja politike, Kosova ka nevojë për një adresë të fuqishme politike. Një adresë e cila ka vizion, gatishmëri, ka dashuri për shtetin, ka dashuri për njerëzit e Kosovës. E kjo është platforma jonë e Dekadës së Re, për besim, zhvillim e integrim, kjo është platforma e PDK-së”, tha Veseli.
Edhe
Veseli: Asnjë centimetër tokë e Kosovës nuk guxon të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë
Veseli ka thënë se nuk do të lejojë që asnjë njeri me elemente korruptive të jetë pjesë e PDK-së.
“Ata që e shkelin ligjin, do të përballen me ligjin. Nuk do të lejoj Partia Demokratike e Kosovës asnjë element korruptiv dhe asnjë të korruptuar brenda partisë”, tha Veseli.
Në këtë takim kanë folur edhe ministri Bedri Hamza, e ish-kandidatja e PDK-së për Mitrovicë, Valdete Idrizi.