Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka fajësuar opozitën për inskenim të ndarjes së Kosovës përmes thirrjes së seancës së jashtëzakonshme.
Nga selia e partisë që drejton, Veseli ka thënë se ngritja e temës së ndarjes do ta dëmtojë Kosovën, derisa nuk ka përmendur që idetë për ridizajnim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve vjen nga dikur kreu i PDK-së, presidenti Hashim Thaçi.
“Thirrja e seancës është dëmi më i madh që i shkaktohet Kosovës. Është inskenim i lojës për ndarje. PDK-ja konsideron se ngritja e kësaj teme do ta dëmtojë Kosovën në procesin e dialogut, duke krijuar argumente në favor të eksponentëve që dëshirojnë ndarjen e Kosovës”, ka thënë Veseli, transmeton Koha.net.
“Shteti i Kosovës, sovraniteti dhe integriteti i saj do të jetë i pacenueshëm. Seancat e jashtëzakonshme për temën e ndarjes krijojnë pasiguri te qytetarët”, ka thënë Veseli që ka shtuar se PDK-ja do të jetë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita.
Veseli ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë pjesa më e diskriminuar e kombit shqiptar, por gjatë kësaj konference nuk ka përmendur nëse kjo pjesë do t’i bashkohet Kosovës.
Gjatë kësaj konference, kryetari i PDK-së, ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin ka thënë se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive..
-
Zhvillime të ditës: Thaçi e Haradinaj përplasen për kufijtë, Veseli akuzon opozitën
-
Vlime politike para seancës së 4 shtatorit
-
Veseli akuzon Qeverinë në detyrë: Po rrezikohet sovraniteti i veriut të Kosovës
-
Veseli e quan hipokrizi kërkesën për zgjedhje të jashtëzakonshme, në kohë pandemie
-
Veseli: PDK-ja nuk është pjesë e skenarit të rrëzimit të Qeverisë