Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur në Tiranë nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, të cilin e ka informuar për zhvillimet politike në vend dhe për fazën finale të dialogut me Serbinë.
Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli ka shprehur qëndrimin e Republikës së Kosovës se në fazën finale të dialogut me Serbinë vendi ynë synon njohjen e pavarësisë nga Serbia dhe hapjen e rrugës për anëtarësim në OKB, NATO, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare.
Veseli theksoi se në këtë proces Institucionet e Kosovës duhet të jenë të unifikuara dhe të ketë konsensus të gjerë nga forcat politike parlamentare. Ai tha se integriteti dhe sovraniteti i Kosovës janë të pacenuar dhe të panegociuara.
Në këtë takim, kryeparlamentari Veseli ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Dardan Gashi, të cilët po ashtu theksuan nevojën e arritjes së konsensusit të brendshëm për fazën finale të dialogut.
Presidenti Ilir Meta tha se Shqipëria po ndjek nga afër këtë proces dhe do të jetë e gatshme ta ndihmojë Kosovën në të gjitha fazat. Ai tha se në procesin e dialogut, shteti i Kosovës duhet të ketë konsensus të gjerë politik dhe se partitë opozitare duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të gjithë së bashku të ndërtojnë platformë shtetërore dhe ekip për dialogun.
-
Çfarë u tha në takimet e zyrtarëve të Kosovës me ata të Shqipërisë
-
Veseli thotë se ka marrë përkrahje në SHBA për fazën finale të dialogut me Serbinë
-
Në takimin e liderëve, Veseli tha se nuk do të flitet me Serbinë për sovranitetin e Kosovës
-
Veseli në Kaçanik: Të bëhemi bashkë për ta përfunduar çështjen me Serbinë
-
Veseli: Me SHBA-në do ta sigurojmë njohjen nga Serbia dhe ulësen në OKB