Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh i pari i PDK-së, Kadri Veseli është shprehur para strukturave të reja të Ferizajt, se mosmarrëveshjet me Serbinë duhet të përmbyllen me një afat sa më të shpejtë, pasi fqinjësia e mirë, sipas tij, i ndihmon Kosovës.
Por, para kësaj Veseli kërkoi që të gjitha krimet serbe dhe gjenocidi që ata kanë kryer në Kosovë duhet të zbardhet, pasi mohimi i një krimi është krim.
“Është krim nëse mohohet një krim, por në të njëjtën kohë për nder të fëmijëve tonë, për hir të gjeneratave të reja. Gjeneratave që ende nuk kanë lindur ne duhet të kryejmë sot. Sot si gjeneratë tani obligimin tonë që të përmbyllet sherri përgjithmonë me Serbinë. Mos t’iu mbetet fëmijëve tanë, ne duhet të përfundojmë dhe këtë proces. Duhet të kemi fqinjësi të mirë, sepse kjo do t’i ndihmojë Kosovës”, tha ai.
I pari i PDK-së, foli dhe për angazhimin dhe punën e partisë së tij gjatë këtyre viteve qeverisje dhe dekadën e re që sipas tij është një vizion i ri dhe një koncept i ri.
Veseli po ashtu theksoi nevojën që gjithë ata që nuk kanë qenë të ndershëm dhe kanë keqpërdor pozitën publike duhet të largohen nga PDK-ja.
Edhe
Veseli: Pas dekadash hetimesh, s’ka asnjë provë që tregon se kam kryer ndonjë krim
“Për ne nuk ka dallim i ri, apo i vjetër ka koncept që e donë vendin dhe koncept i cili nuk e dëshiron vendin. Ne duam që të jenë me ne ata që e duan vendin, të cilët kanë përgjegjësi ndaj vendit, ndaj çdo qytetari të Republikës së Kosovës. I japim mundësi, shancë secilit kush është i aftë, kush ka dije", u shpreh Veseli.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka thënë se në Ferizaj tashmë ka njerëz të rinj me ide të reja, duke u zotuar se do të punojnë për të përmbushur premtimet e tyre./KsP/