Arbëri

Vërtetimi i vendimit të Themelores për rrymën në veri, “me pasoja” për Qeverinë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka 15 ditë afat që të marrë një vendim për zbatimin apo apelimin e vendimit të Gjykatës Themelore, që e shpall të kundërligjshëm përfshirjen në fatura të qytetarëve shpenzimet në veri.

ZRRE-ja ka bërë të ditur se ende nuk e ka pranuar vendimin zyrtar të Gjykatës Themelore.

Por, sipas saj, sapo të pranohet nga ana e tyre, Bordi do ta shqyrtojë dhe do të vendosë se si të procedohet më tutje.

“ZRrE ende nuk e ka pranuar vendimin zyrtar nga Gjykata dhe posa ta pranojë, Bordi do ta shqyrtojë dhe do të vendosë se si do të procedojë më tutje këtë çështje, për çka publiku do të njoftohet me kohë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se KEDS obligohet të kthejë te konsumatorët e faturuar për komunat serbe shumën në vlerë prej mbi 40 milionë eurosh.

Nga KEDS-i kanë thënë për KOHËN se këto çështje kanë të bëjnë me ZRRE-në dhe se vendimet i takojnë këtij institucioni.

“Ne jemi kompani e rregulluar. Kjo çështje ka të bëjë me ZRRE-në dhe të gjitha vendimet i takojnë këtij institucioni. Për çdo informatë ju lutem drejtojuni ZRRE-së”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.

E Ehat Miftari nga Instituti Kosovar për Drejtësi thotë se nëse vërtetohet vendimi i Themelores do të ketë edhe pasoja të tjera.

“Nëse vendimi do të bëhet i plotfuqishëm do të kishte pasoja edhe në raport me vendimet që ka marrë Qeveria dhe ka dërguar në Kuvend lidhur me ndarjen e mjeteve buxhetore nga buxheti i shtetit për pagesën e rrymës për pjesën veriore, edhe pse po flasim për një situatë të njëjtë vetë se pagesa tani bëhet në një mënyrë tjetër”, ka thënë Miftaraj.

Edhe Dardan Abazi, hulumtues në INDEP, thotë se indirekt qytetarët e Kosovës prapëseprapë do të paguajnë për atë rrymë.

“Nëse ne do të kompensohemi si qytetarë çështja është se kush do ta bëjë këtë kompensim? KEDS-i mund të kthejë paratë, por KEDS-i do të kërkojë të barazohet sërish nga institucionet e Kosovës. Ne si konsumatorë po e marrim prapa këtë pagesë, por po e mbulon buxheti. Pra prapë ne si konsumatorë po e mbulojmë nëpërmjet buxhetit”, u shpreh Abazi.

Qeveritë që nga 2017-a kanë ndarë mjete për mbulimin e shpenzimeve të rrymës në veri.

Pas vendimit të Gjykatës ka reaguar edhe KMDLNJ, duke thënë se faturimi diskriminues për rrymën e shpenzuar përbën të gjitha elementet e veprës penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare.

“Faturimi diskriminues për rrymën e shpenzuar përbën të gjitha elementet e veprës penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare përmes falsifikimit të dokumenteve (faturave) dhe paraqitjes së pavërtetë të gjendjes. KMDLNj e pret që kur të merret vendimi përfundimtar, atëherë do të adresohet edhe përgjegjësia penale e shpërdoruesve të pozitës zyrtare”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.

Nuk është hera e parë që vendimet e ZRRE-së kontestohen në gjykata. Të tilla janë edhe vendimet për lëshimin e lejeve për hidrocentrale.