Vëlla e motër kanë shitur vullnetarisht maska mbrojtëse tërë paraditen e së hënës para Sallës për Imunizim në Prishtinë.
Vajza dymbëdhjetë vjeçare dhe vëllai i saj nëntë-vjeçar kanë thënë se tërë përfitimin e tyre do ta dorëzojnë për bamirësi.
Gjyshja e tyre 60-vjeçare, së cilës i është dashur të kthehej nga Qendra e Vaksinimit për të blerë maskë mbrojtëse në një barnatore të largët, sepse nuk i është lejuar hyrja pa të, ka qenë shtytësja i kësaj iniciative.
Fëmijët kanë treguar se interesimi i qytetarëve për të blerë maska ka qenë i lartë. Ata tërë kohën janë mbikëqyrur nga prindërit e tyre.
Ndërkohë pas pushimit të vikendi ka vazhduar imunizimi i qytetarëve me dozë të parë e të dytë për mbrojtje nga COVID-19.
“Kam aplikuar më duket të premten, menjëherë na kanë thirrë, për sot na e kanë lënë terminin”, ka thënë Miradie Dragidella.
“Në përgjithësi, shihet një zinxhir informues, duke filluar nga hyrja në procesim atje, pastaj regjistrimi në pikat administrative, pastaj alokimi nëpër kabina ku me e marrë vaksinën, gjithçka ka qenë në rregull, një organizim tejet i mirëfilltë”, ka shtuar Nexhmedin Isufi.
Për shkak të festës së Bajramit, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se qytetarët të cilët kanë pasur termin për vaksinim më datën 20 korrik, ato do t’i marrin një ditë më vonë.
“Qytetarët që kanë pasur termine për ditën e martë, dozat e dyta të vaksinave do t’i marrin ditën e mërkurë, sipas intervaleve kohore të përcaktuara në terminet e tyre dhe në të njëjtat Qendra të vaksinimit ku i kanë marrë edhe dozat e para”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Ndërsa në 24 orët e fundit 3 qytetarë kanë rezultuar pozitivë nga 1,091 testime dhe nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.
Ndërsa tre persona janë shëruar, e 104 është numri i rasteve aktive në vend.