Kryetar i Podujevës dhe nënkryetari i LDK-së, Agim Veliuka ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që para se ta miratojë Ligjin e buxhetit për vitin 2019, Komunës së Podujevës t’i japë trajtimin e merituar dhe projektet me interes për qytetarët t’i trajtojnë konform rëndësisë që kanë.
Në një postim të tij në Facebook, Veliu ka thënë se bazuar në debatet dhe informacionet për Projektligjin e buxhetit të Kosovës për vitin 2019, vërehet qartë diskriminimi i skajshëm që i bëhet Komunës së Podujevës nga qeverisja aktuale e vendit.
“Për njërin nga projektet më vitale të komunës tonë, që është zgjerimi i rrugës magjistrale Podujevë - Prishtinë, Ministria e Infrastrukturës ka planifikuar vetëm 2 milionë euro, para të cilat nuk mjaftojnë as për mbulimin e pagesave të punëve që janë kryer në dy llotet e para. Realizimi i këtij projekti, sipas afatit të planifikuar, do të duhej të ishte prioritet i Qeverisë, për faktin se kjo rrugë lidh Kosovën me Evropën Perëndimore dhe është arteria kryesore që shfrytëzohet nga bashkatdhetarët tanë, gjatë ardhjes në vendlindje”, ka thënë Veliu. “Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, që para se ta miratojë Ligjin e buxhetit për vitin 2019, Komunës së Podujevës t’i japë trajtimin e merituar dhe kë të projekt si dhe projekte të tjera me interes për qytetarët t’i trajtojnë konform rëndësisë që kanë”, ka shtuar më tej Veliu.