Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori titullin “Doctor Honoris Causa” nga “Grand Valley State University” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe ka kryer studimet e larta.
Në ditën e dytë të vizitës në Miçigan, Veliaj ishte i ftuari i nderit në ceremoninë e diplomimit të 3 mijë studentëve të këtij Universiteti, ku edhe mori titullin për kontributin e tij në shërbimet publike, raporton ATSH.
Titulli iu dorëzua nga Presidenti i “Grand Valley State University”, Thomas J. Haas, i cili e vlerësoi Veliajn si një histori suksesi të studentëve që kanë mbaruar studimet në këtë Universitet dhe vuri në dukje kontributin e tij si kryebashkiak i Tiranës në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Ju tashmë keni përmirësuar infrastrukturën e qytetit, keni ulur ndotjen e ajrit, keni përdorur teknologjinë për të përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët tuaj. Stili juaj energjik i lidershipit ka marrë një mbështetje të madhe nga qytetarët. ‘Grand Valley State University’ mbushet me krenari nga suksesi juaj. Me autoritetin që më është dhënë nga bordi i drejtuesve, ju jap titullin ‘Doctor Honoris Causa në Shërbimet Publike’, me të gjitha të drejtat dhe privilegjet që gëzon”, u shpreh presidenti Thomas J. Haas.
Kryebashkiaku Veliaj, një nga tre të përzgjedhurit për të përshëndetur të diplomuarit e rinj, falënderoi “Grand Valley State University” për mundësinë që i dha për të studiuar, por edhe për vlerësimin me titullin “Doctor Honoris Causa” dhe rrëfeu rrugën e gjatë dhe të vështirë që i është dashur të kalojë për të mbërritur në auditorët e këtij universiteti.
Ai tregoi se vendimi më i vështirë dhe më i rëndësishëm i jetës së tij ka qenë momenti kur vendosi të linte Amerikën për t’u kthyer sërish në Shqipëri, për të kontribuar për vendin e tij.
Duke treguar eksperiencën e tij të aktivizimit në shoqërinë civile, por edhe ne politikë, Veliaj theksoi se e rëndësishme për njeriun është investimi për të pasur afër njerëz të zotë dhe të zotë dhe të suksesshëm.
“Nëse unë do të isha sot këshilltari juaj do të kisha një rekomandim: Mos investoni në para, por në njerëz. Sepse investimi në njerëz është një investim jetëgjatë. Duke ngritur lart njerëzit që janë rreth e rrotull teje, duke u siguruar që ata bëjnë më të mirën që munden, atëherë ti je bërë më i miri i vetes”, shtoi Veliaj.