Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vdiq në moshën 78-vjeçare doktori Osman Sejfija

Osman Sejfija

Ka vdekur në moshën 78-vjeçare Osman Sejfija një prej kirurgëve maksillofacial të parë në Kosovë. 

Lajmin për vdekjen e tij e ka kumtuar Shoqata e Kirurgëve Maksillofacial dhe Oral të Kosovës. 

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Profesor Dr. Osman Sejfisë. Sot, Kirurgjia Maksillofaciale humbi një nga figurat e saj më të shquara – një profesor, mentor, koleg dhe njeri që me përkushtimin, dijen dhe vizionin e tij la gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e specialitetit tonë. Prof. Dr. Osman Sejfija edukoi breza të tërë kirurgësh maksillofacialë, duke ndarë me bujari përvojën, profesionalizmin dhe vlerat njerëzore që e karakterizonin. Kontributi i tij në avancimin e Kirurgjisë Maksillofaciale do të mbetet pjesë e trashëgimisë sonë profesionale dhe do të jetojë përmes punës së të gjithë atyre që pati fatin t’i udhëhiqte. Në emër të Shoqatës së Kirurgëve Maksillofacialë dhe Klinikës së Kirurgjisë Maksillofaciale, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe gjithë komunitetit akademik e profesional. I qoftë i përjetshëm kujtimi dhe u prehtë në paqe”, thuhet në njoftimin e Shoqatës. 

Sejfija kishte përfunduar studimet në Fakultetin e Stomatologjisë në Beograd në vitin 1972, ndërsa mbaroi studimet pasuniversitare në Akademinë e Mjekësisë Ushtarake në Beograd. 

Disertacionin e doktoratës e mbrojti në vitin 1986 në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Mori titullin e profesorit ordinar të lëndës kirurgji maksillofaciale. Ai gjatë viteve ’90 kishte qenë prodekan në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa ishte anëtar i Shoqatës së Kirurgëve Maksillofacialë dhe Oralë të Britanisë së Madhe dhe themelues i Shoqatës së Kirurgëve Maksillofacialë dhe Oralë të Kosovës. Po ashtu ishte anëtar i Shoqatës së Kirurgëve Kraniomaksillofacialë të Evropës.