Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vdes ish-luftëtari i UÇK-së Skender Krasniqi, ngushëllojnë Veseli e Haradinaj

Ka vdekur sot luftëtari i UÇK-së Skender Krasniqi nga Carralluka e Malishevës, e me këtë rast familjen dhe bashkëluftëtarët e tij i kanë ngushëlluar kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook djali i tij, Alban Krasniqi.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë shokët, miqtë dhe të gjithë dashamirët se sot ndërroi jetë babai i ynë, Skender Krasniqi. Homazhet për të ndjerin organizohen nga OVL e UÇK-së në ora 15:00 në Shtëpinë e Kulturës ‘Tahir Sinani’ në Malishevë dhe Mbledhja Komemorative në ora 16:00. Ndërsa varrimi bëhet në ora 17:00 në Varrezat e fshatit Carrallukë”, ka shkruar Alban Krasniqi.

Veseli në një postim në Facebook ka shkruar se Skender Krasniqi ishte një burrë i ndershëm dhe njëri nga luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në komunën e Malishevës.

“Paska ndërruar jetë Skender Krasniqi, nga Carralluka e Malishevës. Burrë i ndershëm dhe njëri nga luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në komunën e Malishevës. Dy cilësi këto të mjaftueshme për ta nderuar e kujtuar gjithmonë me respekt. Ngushëllime”, ka shkruar Veseli.

Edhe Vdiq ish-ushtari i UÇK-së, Agron Haradinaj Arbëri Vdiq ish-ushtari i UÇK-së, Agron Haradinaj

E vdekja e tij ka pikëlluar edhe kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili ka shkruar se Skender Krasniqi ishte luftëtar i orëve të para, i gatshëm gjithmonë për sakrificë.

“I pikëlluar për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit tonë, Skender Krasniqi. Skenderi ishte luftëtar i orëve të para, i gatshëm për sakrificë, sa herë që e kërkoi atdheu. Shembulli i tij prej luftëtari e atdhetari, do të kujtohet ndër breza. Ngushëllime familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.