(Tekst i përditësuar) - Ish-drejtori i Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri, në dëshminë e tij në rastin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës e Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, ka thënë se gjatë ekzaminimit të Murselit nuk kanë vërtetuar se ai ka ndonjë çrregullim mendor.
“Këtu jemi referuar se çrregullimi afatgjatë prej fëmijërisë deri tani nuk është shfaqur asnjë element i ndonjë çrregullimi, shqetësimi dhe nuk është vërtetuar asnjë çrregullim apo problem nga ana e shëndetit mendor afatshkurtër e cila ka ta bëjë nga momenti i arrestimit deri te momenti i ekzaminimit”, ka deklaruar Haxhibeqiri, i cili ka qenë pjesë e ekipit mjekësor për ekzaminimin psikiatrik për të akuzuarin Murseli.
Ai ka thënë se përveç shkresave të lëndës ata kanë nxjerrë këtë përfundim edhe bazuar në bisedat që i kanë bërë me të akuzuarit, përcjelljes si dhe vrojtimit të të folurit dhe të të shprehurit të tij.
“Në piken 3, e kemi shpjeguar se kjo është bazuar në sjelljen e tij dhe dinamikën para, gjatë dhe pas veprës për të cilën akuzohet nga ana e Prokurorisë. Në pikën 4 bazuar në ekzaminim psikiatrik, analizën e shkresave të lëndës, deklaratave të dhëna në polici dhe përshkrimit të dinamikës së rastit, duke qenë se z. Murseli ka qenë i detajuar në çdo pikë, e ka shpjeguar me pika shumë të qarta, gjithë procesin dhe natyrisht kohë pas kohe që edhe në aspektin figurativ është ngritur ta demonstrojë se cilat veprime dhe çka ka ndërmarrë”, është shprehur Haxhibeqiri.
Ai ka thënë se kanë ardhur në përfundim se qëndrimi i tij ka qenë koherent gjendjes dhe situatës në të cilën ndodhej.
“Gjendja koherente do të thotë, marrja për bazë e të gjitha çështjeve. z. Murseli ka qëndruar pa ndonjë problem ose vështirësi gjatë ekzaminimit psikiatrik edhe pse në momente, për arsye të përshkrimit të ngjarjes, për të kuptuar ne situatën në të cilën ka ndodhur rasti, ka pasur ndërprerje, ka pasur shqetësim por jo i formës që do të pengonte në punën apo vlerësimin tonë”, ka deklaruar Haxhibeqiri.
Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas prokurorisë, vrasjen ai e ka planifikuar së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, Murseli është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ishte raportuar se bëhet fjalë për një grabitje, e më pas Prokuroria bëri të ditur se është inskenim i një grabitjeje.
Hxhqibeqiri: Gjatë ekzaminimit Murseli e ka mohuar se e ka kryer vrasjen
Ish-drejtori i Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri, në dëshminë e tij në rastin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës e Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, ka thënë se gjatë ekzaminimit Murseli e ka mohuar se e ka kryer veprën për të cilën akuzohet.
Këtë deklaratë ai e ka bërë pasi i akuzuari Murseli e ka pyetur nëse gjatë bisedave e ka pranuar ndonjëherë fajësinë për veprën.
“Gjatë bisedave tona, a e kam pranuar ndonjë herë fajësinë për veprën për të cilën e kam bërë, me falni për të cilën jam akuzuar?”, e ka pyetur Murseli.
“Gjatë vlerësimit tonë ne asnjëherë nuk kemi parashtruar pyetje apo kemi bërë shtytje se i njëjti e ka bërë veprën apo jo. Pasi nuk është detyrë e jona, por e Prokurorisë. Por është e vërtetë që i njëjti e ka mohuar se e ka bërë veprën”, është përgjigjur Haxhibeqiri.
Murseli e ka pyetur Haxhibeqirin edhe se si ka rrjedhë në media ekspertiza mjeko-ligjore që i është bërë atij.
“Pas ekzaminimit menjëherë në media e kam parë, që ka shkruar që kam qenë i vetëdijshëm që e kam vra gruan time, a shkruan kështu edhe në ekzaminim psikiatrik? ... Si rrodhi ekspertiza mjeko-ligjore, a rrodhi nga ndonjë punëtor?”, është shprehur ai.
Haxhibeqiri ka thënë se ajo nuk ka rrjedhë nga Psikiatria Forenzike.
“Dua ta informoj opinionin publik dhe trupin gjykues se ne nuk e kemi shpërndarë ne asnjë moment ekspertizën. Pasi aty ka të dhëna shumë të ndjeshme të jetës dhe zhvillimit psiko-social të klienti Naim Murseli. Në asnjë rresht nuk është cek atë që e thotë z Murseli”, është shprehur Haxhibeqiri.
Ndërkohë që Teuta Zhinipotoku, avokate e Murselit, ka thënë se ekspertiza ka dalë në media para se ta marrë ajo si avokate.