Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës, Rrahman Jasharaj, ka ngritur një varg ankesash ndaj Qeverisë Kurti, konkretisht ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Jasharaj ka thënë se ministri Murati nuk ka gjetur kohë të takohet me sindikatat, pavarësisht se ata i kanë dërguar disa kërkesa pasi kanë çështje që duhen diskutuar me Ministrinë që drejton ai. Tutje, ai kërkoi që Ligji për Paga të mos shkojë në Parlament pa e parë sindikatat, pasi sipas tij, për të u bë një grevë trejavore një vit më parë.
“Kërkesë e jona, por edhe e organizatave të tjera, është që Qeveria Kurti konkretisht Hekuran Murati përveç se është ministër i Financave, është edhe i Mirëqenies Sociale, dhe duhet të ketë takime me sindikatat. Ai pavarësisht kërkesave që ia kemi dërguar, nuk ka gjetur kohë të takohet me ne. Anëtarësia jonë ka kërkesa, cili është fati i Ligjit të Pagave. SBASHK-u kishte bërë shumë angazhime për këtë çështje, kemi bërë tri javë grevë për këtë. Anëtarët tonë kanë marrë vesh nga deputetët e komunave të tyre që Ligji për Paga është duke u punuar nga një komision. Ky fakt ngrit shqetësime, pasi një ligj i tillë në të kaluarën është punuar edhe bashkë me sindikatat. Duhet të komunikojmë, të shohim se çfarë po punohet si Ligj i përmirësuar nga ato problemet e vogla që i vërejti Kushtetuta. Kemi bërë më shumë kërkesa për t’u takuar me Hekuran Muratin, pasi çështja lidhet kryekëput me Ministrinë që drejton ai. Tash e sa muaj nuk kemi përgjigje nga kjo Ministri, e as nga kryeministri Kurti. SBASHK-u e kupton kryeministrin që ka shumë angazhime, por Murati nuk ka gjetur asnjëherë kohë për ne. Ligji për Paga nuk duhet të shkojë në Parlament pa e parë sindikatat”, ka thënë Jasharaj në “Interaktiv” të KTV-së.
Jasharaj tregoi se stafit shkollor u është mbetur edhe nga 100 euro borxh nga shtesat e ndara nga Qeveria e kaluar.
“Ministri Murati i mbeti borxh arsimit edhe me një shtesë prej 100 euro të ndarë nga Qeveria e kaluar. Do ta ngrisim edhe çështjen lidhur me afatin e 400 kolegëve tanë që janë në gjendje të rëndë shëndetësore, e nuk po bëhet zgjedhje për ta”, ka thënë tutje ai.
Jasharaj theksoi se raportet me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, janë korrekte dhe takohen shpesh për çështjen që mbulon kjo Ministri.