Arbëri

Vagonët e prishur

Sabit Berisha për vite të tëra kishte qenë shef i mirëmbajtjes së motorëve në Hekurudhën e Kosovës.

Rrëfimi i tij për punën dhe pretendimi për keqpërdorimin e zyrtarëve shtetërorë është i gjatë.

Ai pretendon se miliona euro janë keqpërdorur nga shefat e tij.

Madje në një rast i kanë pranuar trenat motorikë dhe vetëm një vit më vonë ata kishin dalë nga sistemi, raporton Koha.

“TrainKos” e ka pranuar se dy trenat motorikë, të cilëve u referohet Berisha, pas riparimit janë pranuar nga komisioni teknik në vitin 2013, kishin dalë nga sistemi.

“Gjatë periudhës së garancisë në njërin tren motorik është paraqitur një prishje të cilën e ka kontestuar kontraktuesi si prishje që nuk përfshihet në domenin e riparimeve të përfshira në kontratë. Pas kësaj, ne kemi ushtruar padi ndaj kontraktuesit në gjykatën kompetente, e cila është ende në procedurë gjyqësore, përderisa treni i dytë motorik vazhdon të jetë në operim të rregullt në trenin e udhëtarëve”, ka thënë “TrainKos”.

Berisha ka rrëfyer edhe për atë se si në 2013 drejtori i Operimeve, Besim Asllani, kishte braktisur institucionin dhe vetëm një vit më vonë ai kishte arritur të inkuadrohej në proceset e tenderimeve të “TrainKosit”, praktikë që ishte vazhduar tutje.

Megjithëse marrja e tenderëve në institucionet ku ka pasur pozita menaxhuese mund të shihet si konflikt interesi, në 2014 Agjencia Kundër Korrupsionit kishte theksuar se në rastin konkret nuk ekzistonte konflikti i tillë.

Vetë Asllani ka theksuar se nuk ka qenë asnjëherë i njoftuar nëse ishte iniciuar ndonjë kallëzim penal për punën e tij në këtë ndërmarrje apo pas largimit.

“Sa u përket tenderëve qe kompania ime ka konkurruar dhe i ka fituar kanë qenë brenda legjislacionit dhe askund nuk ka pasur konflikt interesi. Besoj se jeni i informuar se kompaninë time ‘Railpro’ e kam krijuar pasi që kam dhënë dorëheqje nga ‘Trainkosi’ dhe veprimtarinë me këtë kompani e kam filluar kur nuk kam pasur marrëdhënie pune me ‘Trainkosin’ në çfarëdo forme”, tha Besim Asllani nga “RailPro” .

Megjithatë Asllani thotë se kishte iniciuar një kallëzim penal ndaj Sabit Berishës dhe, sipas tij, është shqiptuar dënim i plotfuqishëm.

Por Berisha thotë se rasti ishte i montuar, pasi vetë e kishin autorizuar që të hetonte tregun.

Berisha në 2017 u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me një vit burgim me kusht, si dhe me një mijë euro gjobë për keqpërdorim të informatës zyrtare.

Por dënimi me burgim nuk u ekzekutua, pasi Berisha kishte pranuar fajësinë, duke theksuar se nuk ishte në dijeni se kishte kryer shkelje të ligjit, për çka edhe prokurori kishte kërkuar rrethana lehtësuese.

Sipas aktakuzës, ai në mënyrë të kundërligjshme kishte kontaktuar operatorin ekonomik “Gradelj” në Kroaci, e cila kishte qenë në procedurë tenderimi. Berisha me anë të e-mailit zyrtar i kishte dërguar këtij operatori specifikat e tenderit para se të bëhej shpallja publike e tenderit.

Sidoqoftë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka hetuar rastet dhe se pretendimet e Berishës për keqpërdorim në hekurudhat e Kosovës kanë pasur bazë.

Në një përgjigje elektronike ata kanë theksuar se njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë kishte përpiluar një kallëzim penal kundër zyrtarëve të “Trainkosit”, me datë 31.08.2017, dhe ajo e kishte proceduar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës në të njëjtën datë.

Duke na kujtuar se për rastin e njëjtë 2 vjet më vonë Sektori për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ka përpiluar raport mbi veprimet e ndërmarra sipas autorizimit të prokurorisë dhe atë e ka proceduar në prokurori më datë 10.7.2019.

KOHA e ka pyetur Prokurorinë Themelore në Prishtinë se çfarë ka ndodhur me rastin, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Shefi i prokurimit në “TrainKos”, Burim Zekaj, thotë se në vitin 2016 zyrtarët e “Trainkos Sh.A” ishin kontaktuar nga Hetuesia për Krime Ekonomike me kërkesën për t’i furnizuar me informacione lidhur me tenderin “Furnizimi me vagonë të përdorur”, si dhe “Riparimi i mesëm i trenave motorikë”.

Madje, sipas tij, vetë Berisha e ka shkelur ligjin.

“Pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit, analizimit të të gjitha fakteve dhe hetimit të detajuar të rastit nga organet kompetente të hetuesisë, procesi ka rezultuar se pikërisht zyrtari Sabit Berisha ka bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare në dëm të ‘Trainkosit’ dhe pikërisht në rastin për të cilin ka bërë inicimin për kallëzim penal. Rrjedhimisht, ‘Trainkos’ ka bërë raportimin e rastit tek organet e ndjekjes dhe zyrtari në fjalë pas përfundimit të procesit gjyqësor është dënuar me një vit burgim dhe 1,000 euro gjobë me vendim të formës së prerë”, ka thënë Zekaj.

Madje, sipas “TrainKosit”, edhe inicimi penal është bërë nga zyrtari në fjalë për interesa të ngushta, pikërisht për të favorizuar një kompani të caktuar, e cila ka qenë konkurrente në procedurën tenderuese “Furnizimi me vagonë të përdorur”, e cila ka ofertuar me çmimin 64% më të lartë se oferta e përzgjedhur fituese.