Kosova brenda pak ditësh pritet të bëhet me ushtri, ndonëse pa ndryshime kushtetuese, raporton KTV.
Presidenti Hashim Thaçi ia ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, projektligjin që mundëson zgjerimin e misionit të FSK-së.
Kreu i shtetit tha se janë të detyruar ta bëjnë kështu, meqë serbët, sipas tij, kanë thënë se nuk do ta votojnë kurrë Ushtrinë e Kosovës, prandaj nuk do të mbesin peng i atyre që, siç thotë Thaçi, vendimin e marrin në Beograd.
Për presidentin pak rëndësi ka simbolika e emrit, por përmbajtja. Ai ka kërkuar votën e të gjitha partive parlamentare.
Thaçi tha se edhe faktori ndërkombëtar tash e di se bërja e ushtrisë është detyrë e Kosovës.
Tha se ky ndryshim i misionit dhe detyrat e reja që do t’i marrë FSK-ja nuk do të ndikojnë në misionin e KFOR-it në Kosovë.
Edhe
Qeveria i kërkon Kuvendit të marrë vendim për dërgimin e FSK-së në Gazë
Për kryeparlamentarin, kjo e martë ka qenë ditë e jashtëzakonshme, ndërsa menjëherë të mërkurën tha se do ta mbledhë kryesinë e të vendosin se si do ta procedojnë tutje këtë çështje.
Një kopje e këtij projektligji tashmë është edhe në tavolinën e kryeministrit dhe presidenti pret që brenda afateve të parapara, qeveria të marrë vendimin e duhur.
Kreu i shtetit iu ka bërë thirrje shteteve të NATO-s që të vazhdojnë të ndihmojnë FSK-në sikur kanë bërë deri tani, ndërsa porosia për shtetet fqinje ka qenë që të kuptojnë këtë proces të Kosovës si një vendim të një shteti të pavarur e sovran.