“R programin” në makroekonomi, me anë të së cilit nxirren statistika të ndryshme pjesë të kësaj lënde, studentët e Kosovës nuk kanë pasur mundësi ta përdorin deri tash.
Por, kjo po u ofrohet atyre në Universitetin Veror të Prishtinës, e madje po ligjërohet nga profesorë ndërkombëtarë, raporton KTV.
Nethan Camper nga SHBA-ja për të dytën herë po ligjëron në Kosovë.
“Sot po flasim për metodat e kërkimeve shkencore për shkencat shoqërore. Është diçka që iu ndihmon studentëve se si të nxirren më lehtë statistikat e ndryshme. Është një program i ri që nuk është inkuadruar ende. Vizita ime e parë ishte më 2004, pra kanë kaluar 15 vjet. Atëherë kishte më shumë njerëz që silleshin nëpër qytet, ndërsa tash po vërehet se ka shumë studentë që sillen përreth universitetit, e që kjo është shumë e mirë”, ka thënë Camper.
E studentët e huaj që për herë të parë kanë ardhur në Kosovë, thonë se do të vijnë sërish në vizitë, pasi u ka pëlqyer edhe shoqërimi me studentët vendës.
sikur kjo është shtëpia ime, pasi të gjithë këtu po mundohen të më ndihmojnë. Unë do ta ftoj shoqërinë që e kam bërë këtu, të vijë në Itali dhe të shkëmbejmë përvoja edhe më tutje”, ka thënë Catherine Gomes, studente nga Italia.
“Ky kurs është shumë i pasur dhe do të më ndihmojë shumë. Ligjëruesit janë shumë interaktiv. Para se t’i ftoj studentët kosovarë të vijnë në Afrikë do të doja të vijë edhe njëherë këtu dhe të hulumtoj më shumë rreth këtij vendi. Jam shumë i interesuar edhe për gjuhën edhe për gjithçka që ka këtu”, ka thënë Dyadi Romain Palm, student nga Afrika.
Në kuadër të Universitetit Veror, përveç ligjëratave, mbahen edhe aktivitete tjera.
Njëri prej tyre është njohja e kursistëve me kulturën, artin dhe traditën e Kosovës.
“Është hera e dytë që vij në Kosovë, më herët kam qenë në vitin 2016 në një kurs në Universitetin Veror. Jam kthyer këtu, sepse me të vërtetë e kam shijuar herën e fundit. Kursi veror ka qenë i mrekullueshëm dhe kemi mësuar shumë gjëra dhe profesorët kanë qenë të mrekullueshëm, po ashtu”, ka thënë Jesus Fuente Porta, student nga Spanja.
Më shumë se 300 studentë janë pjesë e Universitetit Veror nga 20 shtete të ndryshme të botës.
Ky aktivitet i organizuar nga Universiteti i Prishtinës, do të zgjasë deri më 19 korrik.