Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU!, dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese, kanë publikuar hulumtimin mbi gjashtë universitetet e reja publike, Universitetin e Pejës, të Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës, Ferizajt dhe atë të Gjakovës.
Hulumtimi “Universiteti si fushatë”, tregon se këto universitete po përballen me vështirësi të mëdha në realizimin e punës së tyre, raporton “Koha Ditore”.
Po ashtu, sipas hulumtimit, meqë ato janë themeluar si premtim në fushatë zgjedhore, pa buxhet, pa kushte, mund të ndikohen lehtë nga politika e cila është munduar t’i arrijë synimet e saj duke ndërhyrë në punën e tyre.
Autorja e hulumtimit, Besa Kalaja, ka thënë se disa nga gjetjet e raportit janë se në këto universitete ka mungesë të stafit akademik, janë punësuar persona vetëm me studimet bachelor, si dhe janë bërë punësime të shumta partiake.
Edhe autori tjetër i hulumtimit, Besnik Boletini ka theksuar sipas tij, 4 nga rektorët e këtyre Universiteteve vijnë nga partitë politike.
Sipas tij, në këto universitete, 35 persona vijnë nga parti politike dhe mbajnë pozita të ndryshme aty.
“15 janë të PDK-së, 6 të LDK-së, 3 të AAK-së, 5 të AKR-së, 2 të Nismas, 1 i koalicionit Vakat, 1 i KDTP-së, 1 i Alternatives”, ka thënë ai.