Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Uniforma e Ushtrisë së Kosovës

Janë dhjetë uniforma të Ushtrisë së Kosovës. Dallojnë për nga rasti e gradat që mbajnë pjesëtarët e FSK-së.

Një vit pasi Kosova e shpalli Pavarësinë, Trupat Mbrojtëse të Kosovës u shpërbënë duke vijuar me themelimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, e nga të cilat u krijuan uniformat e para.

“Varësisht nga njësitë, varësisht nga organizimi i brendshëm i një force të armatosur, përpunohet e përcaktohet uniforma. Në shumicën e shteteve, përfshirë edhe Kosovën këtu, përveç uniformës ushtarake kamuflazh, ka uniformë pune, edhe solemne, po ashtu edhe për njësi të veçanta. Ne kemi uniformë për njësi të helikopterëve, për kadetë të FSK-së, kemi për meshkuj dhe femrave. Dallon uniforma solemne dhe e punës për meshkuj dhe femra. Varësisht nga organizimi i brendshëm i FSK-së përpunohet e përcaktohet uniforma”, ka thënë koloneli i FSK-së, Haki Hoti.

Secila uniformë përmban elemente të shtetit të Kosovës, duke plotësuar kriteret e përcaktuara nga NATO. Ka flamurin e Kosovës, simbolin e FSK-së, simbolin e njësisë dhe gradën ushtarake.

“Gjitha uniformat e FSK-së përmbajnë flamurin e shtetit, që është vendosur në krah të djathtë të ushtarit, ndërsa me shikim i bie në krah të majtë të juaj, kjo ka domethënie, sepse zakonisht bartet në drejtim të shikimit në anën e majtë, pasi zemra është në atë drejtim. Flamuri është obligativ, pastaj është shenja bazike e forcës së armatosur, që është shqiponja me gjashtë yje tek ne, emri e mbiemri po ashtu barten, e po ashtu edhe shenja e njësisë prej nga vjen. Në shtetin e Kosovës uniformatat, të gjitha shenjat, përfshirë gradat, është obligative të dekretohen nga presidenti i vendit. Bartja e gjitha uniformave bëhet në harmoni të plotë me rregulloren për bartjen dhe dukjen e pjesëtarit të FSK-së”, ka thënë Hoti.

Që nga themelimi i FSK-së në raport me uniformën kamuflazh janë bërë dy ndryshime. E para në vitin 2009, kur ishte transformimi i TMK-së në FSK, e më pas në vitin 2014.

“Në raport me ndryshimin, edhe FSK-ja ka ecur në hap me kohën. Uniformat kanë qenë në formë manuale, të qepura. Në kohën e fundit të gjitha përpunohen në mënyrë digjitale. Kanë ndryshuar dy herë, kur është themeluar FSK-ja fillimisht dhe ka qenë donacion i tëri nga SHBA-ja. Atë uniformë se kemi më në përdorim, pasi në vitin 2012, para se të hymë në fazën e deklarimit të kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së, ministri i atëhershëm i FSK-së, komandanti dhe një komision, kanë filluar dizajnimin e uniformës së re. Në këtë drejtim ka dhënë kontribut të çmuar forca e armatosur e Republikës së Kroacisë, janë dizajnuar atje. Në fillim të vitit 2014, ka filluar bartja e kësaj uniforme që kemi veshur”, ka thënë Hoti. “Në raport me uniformën kamuflazh është ndryshuar dy herë, ndërsa ajo solemne një herë, jemi në fazën e ndryshimit të gjitha uniformave solemne”.

Edhe Shërbimi ushtarak në Ballkanin Perëndimor: Nga TikTok-u në kazermë Arbëri 15 o. më parë Shërbimi ushtarak në Ballkanin Perëndimor: Nga TikTok-u në kazermë

Ushtarët e Kosovës thonë se është nder e krenari ta mbajnë uniformën. Karakteristika kryesore e uniformës kamuflazh mbetet harta e Kosovës që gjendet nëpër të.

“Përveç simboleve, ka edhe hartën në disa pozicione, kjo e bën të veçantë uniformën e FSK-së. Aspektet tjera është se uniforma e FSK-së është e freskët në verë dhe e nxehtë në dimër. Është e shtypur në mënyrë digjitale, i takon një epoke të re të shtypjes së uniformave”, ka thënë Hoti, që ka shtuar se edhe në ftesa për manifestime përmendet se cila uniformë të vishet.

Pjesëtari i FSK-së në çdo kohë e vend i zbaton standardet e kërkuara. E kanë të ndaluar ta përdorin në raste personale që nuk lidhen me punën e tyre. Ata që nuk janë pjesëtarë të FSK-së nuk mund ta veshin atë, është e përcaktuar me rregullore.