Politologu Fidan Ukaj ka konsideruar se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshjen e normalizimit të raporteve me Kosovë, ndërsa shton se ajo kërkon të krijojë probleme të reja vetëm për ta prolonguar procesin e dialogut, duke aluduar në çështjen e dinarit për të cilën u diskutua sot në Bruksel.
“Qëllimi i Serbisë ka qenë prolongimi i të gjitha marrëveshjeve, gjithashtu edhe çështja e dinarit dhe zhvendosja e kësaj çështje në teknike dhe të diskutohet në Bruksel, madje edhe në OKB. Është mesazh i qartë se Serbia nuk është e interesuar që të ketë marrëveshje normalizimi. Ajo kërkon vetëm gjetjen e një mundësie që të krijojë problematika të reja në raport me Kosovën”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas Ukajt, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka qenë shpeshherë pengues në zbatimin e marrëveshjeve dhe zgjidhja e vetme, siç thotë ai, për zbatimin e tyre është presioni mbi Beogradin.
“Vetëm më lehtësues [Lajçaku] nuk ka qenë. Ka qenë lehtësues i njërës palë. Nuk ka qenë ndihmues. Ka qenë pengues në zbatimin e marrëveshjeve. Përfundimi i këtij procesi i dialogut apo zbatimi i marrëveshjeve të arritura e kanë vetëm një zgjidhje dhe është presioni mbi Beogradin. Sa herë kemi pas presion të madh nga ndërkombëtarët, Serbia ka filluar të zbatojë ato marrëveshje që i kam quajtur periferike”, ka shtuar ai.
Ukaj ka thënë se “politika ledhatuese” e Perëndimit karshi Serbisë është treguar e gabuar.
“Serbia nuk e njeh gjuhën e tolerancës. Kjo politikë ledhatuese vazhdon të jetë e gabueshme. Pashmangshëm është në dëm të Kosovës. Kemi më shumë se një dekadë që bisedojmë dhe nënshkruam marrëveshje, por mbesin në sirtarë. Shpresojmë që në mars të kushtëzohet rruga e Serbisë në BE me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën. Mbetet të shihet a e do Serbia rrugën në BE apo dëshiron të mbesë me dy lloj politikash”, ka deklaruar politologu.
EdhePor Ukaj ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti është treguar i pazot në raport me dialogun.
“Kurti ka kërkuar vazhdimisht ta ketë procesin e dialogut në udhëheqje. Dhe kur e mori në duar, Kurti ka treguar se nuk është i zoti në këtë punë. Duhet ta kishte synim forcimin e subjektivitetit në arenën ndërkombëtare dhe forcimin e partneritetit me aleatët. Nuk duhet të lëndojë raportet me SHBA-në sepse është i vetmi shtet që mund ta trasojë rrugën euro-atlantike të Kosovës. Duhet ta ruajmë me fanatizëm këtë partneritet”, ka thënë Ukaj.