Arbëri

Udhëzuesi i USAID-it që synon përmirësimin e mjedisit për biznes

Drejtori i Drejtorisë së Financave në Komunën e Mitrovicës, Shukri Gashi, ka pritur në një takim përfaqësuesit e USAID-i t dhe disa zyrtarë nga komuna e Drenasit dhe ajo Skenderajt.

Qëllimi i këtij takimi ishte krijimi i një mjedisi më të mirë për bizneset dhe sektorin privat në përgjithësi përmes një udhëzuesi që është realizuar nga USAID-i.

Udhëzuesi e ka për qellim të zhvilloj një tregues në nivel komunal përmes të cilit tregohet performanca e qeverisjes lokale, duke u përpjekur të kapë dimensionet e ndryshme të konkurrueshmërisë në nivel lokal.

Në fjalën e tij, drejtori e vlerësoi lart realizimin e këtij udhëzuesi nga USAID-i, duke theksuar njëkohësisht se veprimtaritë e tilla janë të mirëseardhura për komunën e Mitrovicës.

Enisa Serhati, menaxhere e projektit, tha se Indeksi i Konkurrueshmërisë të Komunave të Kosovës ka filluar si domosdoshmëri për të identifikuar pikat e forta dhe pengesat me të cilat përballet sektori privat gjatë ndërveprimit me komunat e tyre, si dhe për të identifikuar fushat për krijimin e parakushteve të një sektori të qëndrueshëm privat.

Ky udhëzues është realizuar përmes anketës me 3350 biznese në 38 komunat e Kosovës, duke përdorur mostër në mënyrë rastësore.

Në bazë të indeksit për performancë më të mirë të komunave, Komuna e Mitrovicës vlerësohet mbi mesataren 6.0.