Arbëri

Tri vrasjet brenda një jave ngrenë alarmin për sigurinë e cenuar publike

Tre të vrarë, 10 të plagosur me armë zjarri e 13 të lënduar është bilanci i tri rasteve tragjike që ndodhën nga e premtja e deri më sot. Rastet u shënuan në tri komuna të ndryshme. Njohës të sektorit të sigurisë e të shëndetit mendor rendisin disa arsye në shtim të aktiviteteve kriminale

Një 39-vjeçar nga Skenderaj është personi i tretë që është vrarë në gjashtë ditët e fundit në Kosovë.

Me armë zjarri, në fshatin Runik, të plagosur mbetën edhe tre persona të tjerë në orët e para të së enjtes.

Tri ditë më parë një rast vrasjeje ndodhi në Klinë. Në një nga lokalet e qytetit, për vdekje u qëllua një person. E të premten e javës së shkuar vrasje pati edhe në Prishtinë. Në një lokal në kryeqytet i vdekur mbeti një tjetër 39-vjeçar, u plagosën me armë zjarri 7 persona, derisa lëndime trupore pësuan 13 të tjerë.

Ish-hetuesi i Inspektoratit Policor e avokati Ridvan Kajtazi thotë se kohët e fundit situata është shqetësuese.

Sipas tij, e gjitha është pasojë e politikës së butë penale që aplikohet në Kosovë.

“Me ashpërsimin e politikës penale, por edhe me ndërmarrjen e veprimeve të tjera qoftë nga institucionet e sigurisë në këtë rast nga Policia dhe institucionet e tjera, në parandalimin e veprave penale të mundshme të vrasjes në mënyrë proaktive apo edhe veprave të tjera të përdorimit të armëve e të tjera, kish me kontribu që këto raste mos me ndodhë ose numri i tyre me u zvogëlu”, tha Kajtazi.

Sipas tij, për të parandaluar raste të tilla duhet të ndërmerren masa nga institucionet e sigurisë.

“Puna e parë e institucioneve të sigurisë është me arrestimin e personave dhe vënien e tyre para drejtësisë. Për me parandalu duhet me ndërmarrë veprime qoftë kontrolle të njëpasnjëshme, qoftë pika të kontrollit në lagje që janë më të ndjeshme, identifikimi i personave që merren me veprimtari të ndryshme kriminale, hetimin e tyre dhe vënien para drejtësisë”, tha Kajtazi.

E, psikiatri Sami Rexhepi rendit disa arsye pse kohëve të fundit ka shtim të dhunës.

“Si pasojë e luftës dhe e pandemisë është rritur niveli i ankthit, është ulur pragu i durimit dhe mundësia për konflikte është shumë më e madhe për shkak se shumë shpesh vjen në shprehje impulsiviteti i individit dhe nuk duhet shumë për të arritur tek një konflikt”, tha Rexhepi.

Rexhepi thotë se duhet të veprohet shpejt në drejtim të parandalimit të dhunës.