Arbëri

Tre vjet nga gjykimi në Hagë që nuk dihet kur do të mbyllet

Tre vjet pas dërgimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së në paraburgim në Hagë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se gabimet e pushteteve të shkuara ende peshojnë dhe ende dëmtojnë. Ai u shpreh i bindur në pafajësinë e tyre. Nga Specialja thonë se sfidë kryesore kanë sigurinë e dëshmitarëve, kurse monitorues të Gjykatës e kritikojnë atë për gjykim të stërzgjatur e seanca të mbyllura

Janë bërë tre vjet që kur ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, u dërguan në paraburgim në Holandë, për një gjykim që ende po vazhdon lidhur me pretendimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kryeministri Albin Kurti të dielën ka shprehur bindjen në pafajësinë e ish-udhëheqësve të Shtabit të UÇK-së, teksa ka kritikuar pushtetet e kaluara për themelimin e Speciales.

“Mbetemi të patundur në bindjen se Ushtria Çlirimtare e drejtë është edhe e pastër, prandaj i kemi kundërshtuar gjykimet e padrejta atëherë kur vendosej për to, por ja që gabimet e pushteteve të shkuara ende peshojnë dhe ende dëmtojnë”, ka thënë kryeministri Kurti.

E nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka shkruar në rrjetin social Facebook se lufta e UÇK-së nuk mund të përulet.
“Sot, u bënë tri vjet nga arrestimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Lufta çlirimtare e Kosovës e ka vulën e sakrificës së popullit tonë, të NATO-s, të SHBA-së, të BE-së dhe shteteve perëndimore! Historia jonë e fitores mbi të keqën nuk ndryshohet, tjetërsohet apo delegjitimohet!”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, në Speciale e kanë vlerësuar se sfidë kryesore në këtë rast kanë pasur ofrimin e sigurisë për dëshmitarët.

Angela Griep, shefe e Zyrës për komunikim në Dhomat e Specializuara, e pyetur lidhur me sfidat e Gjykatës në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, përmendi sigurinë e mirëqenien e dëshmitarëve. Para gjykatës, sipas saj janë dëgjuar mbi 90 dëshmitarë të cilëve u është garantuar siguria fizike e mirëqenia psikologjie, porse pengimi i administrimit të drejtësisë sipas saj, po e sfidon gjykatën.

“Si pjesë e procesit me të cilin u themelua DHSK-ja u garantua një sistem shumë i fortë e i qëndrueshëm me njësit të veçantë që i dedikohet mirëqenies fizike, mendore e psikologjike të viktimave dhe dëshmitarëve para, gjatë si dhe pas seancave gjyqësore.

Rastet kundër Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt dhe kundër Sabit Januzit e Ismet Bahtjarit e tregojnë rëndësinë e një sistemi të tillë. Siç ka thënë në shpallje të aktgjykimit kryetarja e trupit gjykues në rastin Gucati/Haradinaj: kjo ka të bëjë me mirë-administrimin e drejtësisë, integritetin dhe sigurinë e procedurës, e mbi të gjitha sigurinë, mirëqenien dhe lirinë nga frika të qindra njerëzve që u paraqitën për ta përmbushur detyrën e tyre si dëshmitarë”, ka thënë Griep.

Vërejtje të shumta për gjykatën

Pos për seancat e shpeshta të mbyllura për publikun, në emër të mbrojtjes së dëshmitarëve, Specialja është kritikuar edhe për kohëzgjatjen e gjykimit më të madh të saj, për të cilin nuk ka projeksione se kur pritet të përfundojë.

Avokati Amer Alija, njëherësh ekspert ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare, ka deklaruar se ky gjykim pritet të marrë edhe shumë vjet, fillimisht duke marrë parasysh që numri i dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria është rreth 300.

“Në rast se e shohim që brenda 7-8 muajve janë dëgjuar 32 dëshmitarë atëherë ky shqyrtim kryesor sigurisht që rreth pesë vjet do të zgjasë deri në vendimin e shkallës së parë, pastaj kemi edhe mjetet e rregullta juridike dhe vendimin e shkallës së dytë... Pra, është e vështirë të parashikohet por disa vjet do të zgjasë”, ka thënë Alija.

Specialja ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për të pasur dëshmitarë të radhës në dispozicion, në mënyrë që kur një dëshmitar e mbyll dëshminë e tij para kohës, të vazhdojë me tjetrin, e jo të mbyllet seanca.

Astrit Kolaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, u shpreh se Gjykata nuk e ka siguruar zbatimin e këtyre urdhrave.

“Kemi raste ku planifikohet marrja në pyetje e një dëshmitari për 15-16 orë ndërsa përfundon dëshmia e tij ose marrja në pyetje nga të gjitha palët për 4-5 orë dhe në vend që të thirret një dëshmitar tjetër, prokuroria nuk është e përgatitur me dëshmitarin tjetër, përfundon seanca dhe ka raste kur dy ditë të tjera të planifikuara nuk mbahet seanca, përfundojnë, ndërpriten sepse nuk ka qenë planifikimi i mirë kohor për marrje në pyetje të atij dëshmitari”, është shprehur Kolaj.

Sipas Kolajt, problem i vazhdueshëm është që dëshmitarët që flasin shqip gjatë seancës në raste të shumta nuk dëgjohen, duke dhënë përgjigje të shkurtra, “po” ose “jo”. E lidhur me statusin e dëshmitarit të 29-të në rastin Thaçi, Specialja, siç thotë Kolaj, nuk ka dhënë sqarimet e nevojshme. Dëshmitari më 11 tetor pati thënë se më parë do të shkojnë në burg se të dëshmojë.

“Ky dëshmitar në ditën kur ka pasur të dëshmojë s’ka pranuar të dëshmojë dhe ka kërkuar që edhe të shkojë në burg për të mos dëshmuar dhe tanimë nuk dihet çka ka ndodhur me këtë dëshmitar. Dëshminë e ka përfunduar këtë javë dëshmitari i 32-të dhe ne ende nuk e dimë se çka ka ndodhur me këtë dëshmitar: a do të dëshmojë apo jo. Ne si IKD kemi dërguar pyetje, por ende s’kemi marrë përgjigje se çfarë ka ndodhur me statusin e këtij dëshmitari”, ka thënë Kolaj.

Rastet e tjera në gjykim

Ndërsa sipas avokatit Amer Alija, puna e monitoruesve të speciales vështirësohet edhe nga redaktimet e shpeshta që janë prezente edhe në rastet e tjera para gjykatës.

“Proceset gjyqësore apo seancat pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës janë tejet të redaktuara, ku 2/3-ta e dëshmitarëve në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve janë dëgjuar në seanca të mbyllura. Sigurisht që kjo është një vështirësi edhe për mediat edhe për monitoruesit që të kenë informata të sakta se si është duke shkuar procedura, se çfarë janë duke dëshmuar dëshmitarët, por në anën tjetër kjo është një e drejtë gjykatës që të mbyllë seancat për arsye se dëshmitarët kanë propozuar apo kanë kërkuar që identiteti i tyre dhe informatat të cilat ata i japin të mos shpalosen për publikun”, ka thënë Alija

Aktualisht në Hagë janë duke u zhvilluar gjykime edhe për katër raste të tjera. I dyshuar është edhe Isni Kilaj për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Të shtunën është mbajtur seanca për masën e sigurisë lidhur me Kilajn, ndërsa vendimi nëse do të mbahet në paraburgim apo jo është paralajmëruar për të hënën.

Pjetër Shala po gjykohet nga themelorja e Speciales për krime lufte, Salih Mustafa po ashtu për krime lufte. Rasti i tij është në Apel. Ndërkaq, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë dënuar nga të gjitha shkallët e speciales për pengim të administrimit të drejtësisë – ku Apeli i dënoi me katër vjet e tre muaj burgim. Gucati është liruar shkaku se e ka kryer 2/3-tën e dënimit të shqiptuar ndaj tij. Po ashtu është marrë për bazë gjendja shëndetësore e nënës së tij, shprehja e keqardhjes për veprën penale të kryer, si dhe raportet për sjellje korrekte nga qendra e paraburgimit.

Në bazë të versionit të aktakuzës së ZPS-së e publikuar më shkurt 2023, të pandehurit akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj edhe tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999. Të akuzuarit, sipas ZPS-së, kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm lidhur me krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Të akuzuarit siç pretendohet në aktakuzë, janë përgjegjës personalisht në frikësimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e personave të ndaluar nëpër qendra ndalimi.

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi thonë se UÇK-ja nuk ka pasur hierarki të tillë që Shtabi i Përgjithshëm të kishte kontroll efektiv mbi komandat e zonave operative dhe komandat lokale, e hiç më pak dijeni se cilat janë veprimet të cilat i kryejnë këto komanda.