Tre shtetas të Kosovës janë larguar nga Ukraina, pas shpërthimit të luftës, ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Shtetasit e Kosovës ishin në Ukrainë për periudhë afatshkurtër për qëllime pune apo biznesi.
Në total, autoritetet e Kosovës kanë kontaktuar me shtatë kosovarë në Ukrainë.
Katër personat tjerë – një familje katëranëtarëshe – është thënë të jetë në rrugë e sipër për të kaluar në Hungari.
Situata në Ukrainë është përkeqësuar prej sulmit rus që ka nisur më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL