Arbëri

Tre persona nga komuniteti serb në Kosovë janë konfirmuar me koronavirus

Një 62-vjeçare nga fshati Dobratin i Komunës së Graçanicës është konfirmuar me koronavirus.

Por ajo pas kontrolleve të para që ka marrë në spitalin e kësaj komune është transferuar për trajtim mjekësor në Spitalin e Nishit në Serbi, raporton KOHA.

Mjekët thonë se gjendja në Graçanicë aktualisht është e mirë dhe deri tash nuk është shënuar asnjë rast tjetër.

Tregojnë se kanë marrë masa edhe nëpër fshatrat e tjera të Komunës, derisa refuzojnë të flasin për bashkëpunimin me autoritetet kosovare.

“Një grua është dërguar në Nish, ka dalë pozitive me koronavirus. Aktualisht kapacitete ka, kemi përgatitur edhe salla pranë Gushtericës, pranë Llapnasellës, por aktualisht nuk ka asnjë rast dhe shpresojmë që s’do të ketë. Nuk e di a ka bashkëpunime me Prishtinën, unë merrem vetëm me shëndetësi. Ka tek ne të gjitha, maska, pajisje dezinfektuese, e të gjitha, për ndonjë situatë eventuale që do të çonte në epidemi”, ka thënë mjeku Toni Sllavisha.

Ndërkohë, rrugët e fshatit Dobratin janë dezinfektuar edhe këtë të diele.

“I gjithë stafi shëndetësor i Qendrës së Mjekësisë Familjare këtu në fshatin Dobratin është vetizoluar, pas kontaktit që kanë pasur me të infektuarën COVID-19. Ajo është transferuar për trajtim në Spitalin e Nishit. Televizioni jozyrtarisht ka mësuar se edhe një rast tjetër në Leposaviq është transferuar në Serbi”, ka thënë më tej mjeku.

Në vetizolim janë edhe familjarët e 62-vjeçares.

Megjithatë, për banorët këtu përhapja e koronavirusit nuk paraqet shqetësim.

“Po, është një rast në fshat me koronavirus. Ajo tani është në Nish dhe kanë thënë në televizor se po ndihet mirë. Gjendja këtu është e mirë, ne po rrimë në shtëpi të izoluar”, ka thënë një qytetar.

Ministria e Shëndetësisë thotë se mori informacion nga mediat për transferimin e 62-vjeçares në Serbi.

Ndërkohë dy persona të tjerë të komunitetit serb janë konfirmuar me koronavirus, një në Mitrovicën e Veriut dhe një tjetër në Leposaviq.

Deri tash nga komunat serbe në Kosovë janë testuar 18 persona në institutin “Torllak” në Serbi, prej tyre 3 kanë dalë pozitivë.