Arbëri

Mosmbyllja e dyerve bën që tre nxënës të klasës së parë të ikin nga shkolla

Dyert e oborreve në shumë prej shkollave qëndrojnë të hapura gjatë tërë kohës, e sigurimi mungon. E si rrjedhojë e kësaj, disa nxënës të klasës së parë në shkollën “Dardania” në kryeqytet, kanë arritur lehtësisht të largohen nga zona e objektit e të shëtisin pa dijeninë e askujt. Nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë pranojnë se shkollat nuk kanë infrastrukturë që garanton siguri për nxënësit

Tri dyert në oborrin e shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë qëndrojnë të hapura gjatë tërë kohës. Javë më parë tre nxënës të klasës së parë të kësaj shkolle kanë dalë nga institucioni pa u vënë re nga stafi. Siç ka mësuar KOHA ata janë larguar rreth 2 kilometra larg objektit.

Drejtori i shkollës “Dardania”, Besim Gashi, nuk ka pranuar të sqarojë këtë rast. Por ka mohuar se nxënësit janë larguar në distancë prej 2 kilometrash. Sipas tij, ata vetëm i kanë kaluar rrethojat e shkollës.

Dalja nga oborri i shkollës është lehtësisht e arritshme edhe për nxënësit e disa institucioneve të tjera arsimore. Drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali”, Mimoza Krasniqi, ka thënë se dyert i lënë të hapura për t’ia lehtësuar qasjen komunitetit, por ka pranuar se kjo paraqet rrezik për nxënësit.

“Mirë kish qenë me pasë një qasje të mbyllur, por në bazë të kërkesave në bashkëpunim me policinë e shkollave e kanë hulumtuar këtë rast dhe jo vetëm në shkollën Ismail Qemali por edhe në shkolla tjera janë në bashkëpunim edhe me drejtori të tjera të cilat ofrojnë siguri nëpër institucione të ndryshme janë plan të bëjnë një projekt të përgjithshëm për të gjitha shkollat”, ka thënë Krasniqi.

Në shkollën “Emin Duraku” dyert e rrethojave i mbajnë të mbyllura edhe për t’ua pamundësuar qasjen personave që nuk janë pjesë e shkollës.

“Siç e dini në të kaluarën ka qenë njëra ndër shkollat më problematike ta them në komunën e Prishtinës, për shkak se kanë pasur qasje në oborr edhe akterë të jashtëm, që s’janë ndoshta as pjesë e komunitetit, e hapi i parë që e kemi bërë i kemi mbyllur diku deri në tetë dyer ilegale që kanë qenë në oborrin e shkollës. Kemi ngrit rrethojën dhe e kemi shtuar rrethojën”, ka deklaruar Visar Osmani, drejtor në SHFMU “Emin Duraku”..

Në Këshillin e Prindërve të Prishtinës e kanë parë të nevojshme që shkollat të kenë infrastrukturë që reflekton ambient miqësor për komunitetin shkollor.

“Përkushtimi për t’i ofruar siguri fëmijës nuk e bën askush tjetër si prindërit, megjithatë do të ishte mirë që do të kishte rrethoja, sepse siguria është më e madhe për nxënësit e moshave të vogla por që ne vlerësojmë kjo nuk mund të arrihet vetëm me dyer por duke e kontrolluar secilin”, ka thënë Fisnik Dërguti, kryetar i Këshillit të Prindërve të Prishtinës.

Në Drejtorinë për Arsim në Prishtinë kanë pranuar se shkollat nuk janë të pajisura me infrastrukturë të mjaftueshme që garanton siguri për nxënësit. Por kanë premtuar se gjatë tre vjetëve shkollat do të pajisen me kamera të sigurisë, ndriçim efektiv, rrethoja dhe sigurim fizik.